venerdì 6 dicembre 2013

Simfo xhazi shkodran në ngjyra



 
Përsiatje rreth veprës së artistit pamor
 Gjergj Pali.



Shëtitja në parkun natyror të ngrehur prej ëndrrave dhe përjetimeve të piktorit Gjergj Pali në  Galerinë Kombtare të Arteve; të bën të ndalesh para Mbretëreshës së Pilivesave. Feminiliteti i krijesës artistike, më fton ta rishoh në realen brenda vetes Mbretëreshën me tiparet e Gruas totemike.Thuhet se alfabeti është shkruar prej Krijuesit në krahët e fluturave, por flatrat e pilivesave bartin meloditë e dashurive  të prekura.

Po ndjek udhëtimin fantastik në shtegun  përtej pyllit  të  ëndërrt  thurur ngjyra-tingujsh. Ndalem te një shtëpi  sa e gurtë po kaq e avullt në formë zemre nga  shoh tek përkundet stërgjyshja ose  nanëdaja mollza qeshur e malsive të buta të Razmës, jetësuar nga bjeshkët e Shkrelit, përmbi rrafshinën pjellore të luginës së Cemit. 

 
Filli i saj argjendit  end një tjetër melodi  zgjuese, është “Muzika e  rëndë” e feminisë së Gjergj Palit. Jaret shndërrohen në simfoni xhazi dhe në qiellin e ulur nga artisti më lëvizin shumë dritëza të ngjyrta plot  yje vezullimesh.



Kolazhi nderet në profil si i fshehur nga sytë e parë të vizitorëve dhe këtu preket  dromca e shpirtit (Muzikë e rëndë, 122*80, 2013, vaj në telajo, kolazh) që dlirsohet si një luleje livadhi mu poshtë këmbëve të drurëve të harlisur dhe pak kush prej kalimtarve ul kokën për t’a shijuar.

Për të kuptuar këtë  hartë udhëtimi,  e për të parë nga lart më mirë , më duhet të ngjis një kodër si mal të akullt në fjetje. Vepra  që ripërtërihet hera herës si motiv  e  emërtuar “Në krahët e Dashurisë “ (132*107, vaj, 2013).

Brenda saj nën  flatrat e shpendit të zjarrtë  tingullor me kapele si helikopter, tek dy të dashuruarit preka energjinë e plotësimit poetik  mes Unit dhe Ti-së të njësuar në ajri.

 
Çasti përjetsohet me aromën e trandafilit të bardhë luleboras.


Para se të mbërrij der tek motivi sipëror,  zbritja mu hijeshua dhe mendja u përndez nga ky shpirt i qeshur i njeriut-artist.
Tek motivi i rimarrun i  peshkut çiklist, piktura “Ëndrra e Peshkut” (50*61 vaj në telajo), dhe tek “Ëndrra e Artë e Peshkut” (61*76 , vaj në telajo) , dëgjoj  simfoninë e bejteve komike, vargje të muzikuara shkruar mbi telajo si mbi luspat e peshkut.
Ndiej se  u lehtsova nga peshat e frikës duke ndjekur këtë mendim të lumtur, ashtu si dikur shkodranët largoheshin nga makthet e diktatit.

Hyra  në pyll duke kënduar si fjalkalim i kodit të etërve shqiptar dhe mu bë se ndigjova dhe zërin e drurit që këndon gazin e jetës tek “Pema Fushëkuqe” e autorit.

Drita e diellit mesdhetar piklohet e ngrohtë, e ëmbël e ledhatuese në pikturën e Gjergj Palit herë  fillarta e herë fillergjendta si filigramet e duarve artizane.
Harmonia ndërmjet njollave si ndjesi përftohet natyrshëm brenda kuadratit të Palit ndërmjet raportit mes të ftohtave dhe të ngrohtave, të errtave dhe çeltinave duke pohuar ekuilibrin në pikturën-ëndërr si  mjeshtri e tij.   
Tej vlersimeve kritike apriori të ekspozitës nga ndonjë vizitor profesionist se vepra ngjan e lehtë dhe ilustruese; mendoj se në këtë Papeshje, Gjergji  më befason  me risi në formën e çlirët dhe lëvizjen që krijon përmes ritmeve në kompozim.
Kjo  vijimësi ndaj  parabolës se  nuk  del një jetë për të pikturuar si fëmijë; dëshmon se kopshtin e fëminisë Pali e ruan të paprekur ndaj dhe nuk ka harruar nga loja e kohës me kenë artist.
Thirrja nga lisit atëror i gjakut ose geni i vendlindjes  (genis patria) manifestohet simfo xhazi prej  muzikave ninullore deri tek britma e njeriut polifonist. Kështu duke kërcyer brenda vetes me frymën e gëzueshme, ngazëllimin e sjellur nga festa muzikore mes pikturave të Gjergjit, ndjeva të prekur ëndrrën për t‘u vetë realizuar si artist i disa breznive krijuesish.

Përmbushja e kësaj amanetsie familjare është një tjetër gjëndje qetësie të mirë që mblodha si polen drite në këtë itinerar të fisëm. Tek  lirishta përmes fantazive të sinqerta, ndiej Tingullin në Vetvete, të endur  bukurisht prej udhëtarit romantik Gjergj Pali.

 
Postuar  nga Revista JAVA , Nëntor 2013  http://www.peshkupauje.com/2013/11/album/simfo-xhazi-shkodran-ne-ngjyra

Nessun commento:

Posta un commento