sabato 14 dicembre 2013

Refleksion nga ekspozita “Afër dhe Larg” (“Far and Close”) në Galerinë Kombtare të Arteve.

Grisja e Formës në pikturën e Rexhep Ferrit.
nga Andi Bica



Ndjesia e parë sapo hyra në odën piktorike të autorit Rexhep Ferri është Muri si entitet dhe ftohtësia e tij.  Një ftohtësi që lëviz në teksturat e nuancimeve të grisë duke duke ofruar pak nga secila ngjyrë. 

Leximi krijesave si prerje hijesh më lëvizi imagjinatën duke ndjekur  hyrje daljet nga njëra portë e hapur në tjetrën , nga arti tek arti. 

Në kuadrot e  Ferrit ndihet Dora e Mjeshtrit që di të sendërtojë botërat e tij në telajo duke na dhuruar imazhe me raporte koloristike të ekuilibruara skajshëm.  

Natyrshëm  dhe  e rafinuar shpërhapet vjollca ose  e Purpurta ballkanike. Por këtë asimetri në ekuilibër nuk mund ta pohoj  për raportet grafike sepse ndiej në disa nga punët se qëllimshëm pikturat bien ose anojnë pak  majtas ose djathtas në vartësi të konceptit apo thelbit të veprës.

Ja , tek Eva dhe Adami apo vepra ‘’miti i burrit dhe gruas’’, të errtat anojnë dhe tërheqin Burrin në krahun e tij teksa Gruaja e fton drejt një porte kalimi të kuqe ku graviteti shihet se humbet ose lehtësohet nga Dashuria.Po tek "Toka e Kuqe" ndjehet graviteti i njëkahshëm tek të ngrohtat e dendsuara.

Fizionomia e figurave. - Në ciklet e ekspozitës Larg dhe Afër  përveç kuadrove si në konservë dhe busti i bardhë  ndihet si zgjedhje a autorit mosprania e portretit e kompesuar me gjuhën e trupave transparent. Tek përmasimi  i krijesave që jetësojnë pikturat,  Ferri na sjell shtat dhe fizionomi alpine  në botkuptimin figural. Lartësia e personazheve në pikturën e Ferrit ndiej se është pjesë e arketipeve të përftuara  nga njëra gjeneratë në tjetrën përmes tipareve të racës dhe folkut muzikor.


I rikthehem Murit dhe këmishave të tij që ndërrohen nga njëri tonalitet në tjetrin dhe për këtë garderobë të pasur brenda njollës gri ndiej se përshfaqet mjeshtërisht gustoja fine e krijuesit dhe komplementarja mes ngjyrave dhe njollave që zgjedh. 

Muret e Ferrit në ngricën që transmetojnë janë si ekrane përjetimesh: 

Kinemaja e Hijeve ritmon brenda tyre duke më intriguar në komunikimin dhe ndërveprimin e figurave, trupave të ajërt që flasin me dromca përjetimesh. Muri ku pikë mbështetet miti grafik i Evropës, është pak  më i tkurrur  dhe në figurat e pezullta  demi që kalërohet dhe zbutet pabindshëm nga hije-bardhi shfaqet në fuqinë e vet përmes vijave të valëzuara.

Sistemi i vijëzimeve që zgjedh Ferri shoh se është më i pranishëm tek vijë lakuarat dhe vijë drejtat sesa vijë thyerat në konstruksionin figural. Hijet hedhin hapa e  sfilojnë me kostume të dizenjuara  nga dora e një stilisti dhe të  prera nga terziu brenda njeriut krijues  me copëra plot harkime e lakime prej nga asnjëra nga copëzat e prera nuk  hidhet si e tepërt por është pjesë e veshjes njerëzore.

Diptikët e skenave filmike që Rexhep Ferri vendos hera herës ripohojnë ligjësinë se ashtu si vepra qëndron në vetvete ajo  është  pjesë e ndërlidhur e një zinxhiri krijues në gjithëkohësi. Drita në pikturën e Ferrit manifestohet e largme , uniforme në kundërtitë që ai ngre thekshëm. Ditët dhe netët polare zgjaten por ndërrimi i stinëve nga njëri Mur botëndjesish tek tjetri vjen dhe ikën dukshëm.

Fryma  lidhet me gjuhën e formës. Ajo shpërhapet tek perdet që Ferri krijon mbi teksturat sa dramatike po aq paqtuese. Tek vertikaliteti në shtrirje i Hijeve që tentojnë të dalin nga Muret. Dyert dhe dritaret  anash dhe midis tyre janë si zgjime nga ëndrra tek zhgjëndrra e anasjelltas që duket si e pambamarimtë.
Tingulli i ngadaltë dhe i ngrirë përshpejtohet në raport me dendësinë e figurave. Melodia që ndiej në tërësin e veprës  për nga hijet mbërrin si një poem simfonik dhe si çakordim i akorduar.



Hyrje dalja në Murëtimin e Ferrit më hutoi disi  përgjatë degustimit të ekspozitës Afër dhe Larg. Ende nuk po gjej pallto apo qyrk të më ngrohë si duket ngase është ftohtësi e brëndshme. 

Por në këtë përgazje festash mes falsitetit dhe sinqeriteti në prag ndërrimi vitesh po ndjekam më të afërt ekuinoksin dimëror. 

Duke ndjekur portat e pikturave të ferrit po shoh për ndonjë dalje më të shpejtë për tek porta që të shpie në pranverë. 
… Hëna perëndoi teksa shkruaja në mëngjes dhe m’i mori me vete fantazmat e natës. Hija po fillon të më largohet e zmadhohet.  Sikur të isha vetë hije… prapë nuk do matesha dot me hijen e Sabahut! 

Dhjetor 2012
http://www.peshkupauje.com/2013/12/album/vertikaliteti-ne-shtrirje-tek-pikturat-e-rexhep

Nessun commento:

Posta un commento