venerdì 6 dicembre 2013

FYTYRZIME PELLAZGJIKE

NË SHTËPINË E SKULPTORIT VLADIMIR METANI

 

“Ciklopi ” thuhej se farkëtonte shigjeta të zjarrta ndërsa Metani me duart që zbusin e ledhatojnë bronzin e gizën llavore na fton të dëgjojmë një simfoni të panjohur rezonancash.
Me sa shihet kjo është gjuha e rigjetur me shkronjat e një alfabeti të figurshëm. Në këtë sipërmarrje duket se me pafajsinë e vëllait të vogël, Metani ka thirrur e zgjidhur nga zemra e nëntokës titanët e fjetur të Atlantidës. 



Hyrja në odën e miqve të skulptorit elbasanlli Vladimir Metani është një befasi dhe pasurim brendshëm për secilin vizitor. Atje e gjen veten të rrethuar nga tingujt e violinës së qeshur të Isuf Myzyrit, e mandej në pëshpërimat melodike të zanave.

 
Ladi siç është mësuar ta thërrasin është bartësi dhe prurësi i furishëm i kësaj përtej bote, vetëm përmes duarve dhe syrit ciklopik të fantazisë. Kuzhina ose salla e pritjes së miqve prej vitesh është shndërruar në një muze të legjendave parailire , që shpien drejt fillimsisë së njerëzimit. 





Me gjuhën e formave parake, si krijues me alkiminë e metaleve Metani, komunikon me këdo që preket me punët e panumërta . Punimet si uji i detit kanë fituar shumë territor ndaj bregut të hapësirave ku jetohet . 




Simbolet e pjellorisë si “Pani”, ish perëndia i botës baritore, gjiu i zanave krijojnë dhe legjenda të reja për mitet moderne shqiptare si Kosova dhe divat e saj. 




Të zgjosh antikitetin është një emocion mbinjerëzor. Metani shfaqet i sinqertë në kufirin mes fëmijërisë dhe pleqërisë, portave të hapura të lindjes dhe përtej jetës

 Kokat e tonuara në okër dhe jeshile në blu, pjatat rrethore të nderura në katër muret, dysheme dhe tavan rrëfejnë një tjetër histori, atë të genit shqiptar.




Metani dehet me pikën e qumështit të Rozafave dhe vallzon mbi majat e qelesheve të malsorëve tosk e gegë.

Durimshëm e me dashni Metani mbërrin tek e arta përmes polifonisë së kokave të përndezura nga motivet e uneve gjigande në Ishullin e Pashkëve dhe Pjelloria simbolike e japonezëve antikë.



Galeria e Vladimir Metanit si një guvë në majë të malit, një apartament në katet e larta të pallateve në unazën pranë rrugës së Kavajës,të rrethon mes mijëra shenjave dhe arketipeve ku ndihesh i pasur dhe i plotë. 



Rrekja e Metanit, është krijimi i një kujtese kombtare të frymuar nga muzat pellazgjike.

“Ciklopi ” thuhej se farkëtonte shigjeta të zjarrta ndërsa Metani me duart që zbusin e ledhatojnë bronzin e gizën llavore na fton të dëgjojmë një simfoni të panjohur rezonancash. 

Me sa shihet kjo është gjuha e rigjetur me shkronjat e një alfabeti të figurshëm. Në këtë sipërmarrje duket se me pafajsinë e vëllait të vogël, Metani ka thirrur e zgjidhur nga zemra e nëntokës titanët e fjetur të Atlantidës.

Si eksplorues landor, Metani ka shtënë tani dashuri me gurët dhe fytyrzimin e jashtë tokësorëve tek ta.  
Me duart e ndjeshme që janë shndërruar në instrumenta të formës kozmike, Metani na sjell tinguj jete nga planete dhe yjësi të reja!


Nga Andi Bica


Gazeta Metropol. 

Nessun commento:

Posta un commento