martedì 24 dicembre 2013
sabato 21 dicembre 2013
Ashiku i muzikës popullore dhe qytetare - Kasem Hallulli
" Zëri që ngrohte dhe argëtonte kryeqytetasit e viteve '90."
Rijetova fillimet e viteve nëntëdhjetë këtë fund viti gjatë natës së bardhë e ditës së bekuar rinore, por nuk ia le dot vetes luksin, pa e kujtuar atë pjesë të ndryshimit që erdhi në Tiranën e pas komunizmit me muzikën. Nuk i referohem rrymave muzikore të skenave televizive apo diskove rinore që kuptohet patën ndikimin e tyre në hapjen e shqisave për çdo shqiptar të Shqipërisë.
Një tjetër tingull vinte nga qendra e Tiranës, madje nga aksi i Sahatit, hynte i ëmbël drejt e në zemrën e kryeqytetasit që sapo ish prekur pa frikë me lirinë e shprehjes. Ulur te ish lokali Bashkia si ballkon para Bashkisë së Tiranës, njerzit rrinin në pritje mbas orës tetë të fillonte mbrëmja. Linin jashtë derës me vetratë rrobat e pista të halleve e streseve të bartura dhe ishin gjithë sy e veshë tek këndi i Orkestrës tiranse. Atje pritnin me gaz e frymarrje të ngadalsuar të ndodhte magjia.
Nuk jam muzikolog të shpjegoj dukurinë artistike apo të analizoj vlerat vokale të këngtarit Kasem Hallulli por si mik i familjes, gazetar kulture dhe spektator aktiv po përpiqem të kujtoj pak nga hiri i atij emocioni të papërsëritshëm.
Tek Kasemi kur niste festa e mbrëmjes argëtimi ishte i pambarimtë dhe njerëzit shfrenin e lironin veten prej ngarkesave të ditës dhe viteve të jetës së izoluar e privuar nga të shprehurit e fjalës dhe mendimit ndryshe.Këtë gjuhë tjetër të shkarkesës së dhimbjes ai e njihte, praktikonte dhe përshfaqte më mire se kushdo tjetër mes muzikantëve që e rrethonin.
Njëri prej tyre pinjolli i tiranas i traditës disa brezash nga u realizua dhe Stradivarit shqiptar, ljutari Ramazan Gurra më tregoi për netët e dikurshme plot emocion. Duke prekur violinat në qoshkun laborator të instrumentave në Universitetin e Arteve, profesor Rami më zbuloi dhe disa foto bardhë e zi nga dukej shpërthimi i pasionit të katërshes sa popullore po aq edhe qytetare.Më habit dhe fakti se vijon lidhja muzikore e familjare mes trashgimtarëve të tyre Edi Hallullit violinistit të diplomuar në konservatorin e Vjenës dhe Erli Gurrës, të parit shqiptar të diplomuar në shkollën e Antonio Stradivarit në Kremona të Italisë.
Kasemi në biseda më tregonte me admirim për etërit e familjes së tij tiranase autoktone si kryebashkiaku që mbajti gjallë shtëpinë e fëmijës një vit pas Pavarsisë kombtare, filantropi Zyber Hallulli. Për modelin e kulturës shumë gjuhsore të të parëve shkolluar si në Universitetet e Lindjes dhe Perëndimit; vetë Kasemi ishte shembulli direkt i plotësimit të amanetit. Ai me arratisjen nga Shqipëria fundvitet ’80 drejt Austrisë arriti qëllimin e formimit profesional të të birit dhe trashgimtarit të tij në talentin muzikor.
Rikthehem tek efekti i zërit të Kasem Hallullit. Muzikaliteti ndihej edhe kur komunikonte lirisht por këngëtimi i tij ishte sipëror.
Tingulli onirik më largonte nga realiteti i pa motivuar drej një bote ndjenjash e ledhkash plot dashuri.
Shprehja më e plotë e tij me kitarën akustike si zgjatim i shpirtit, me një magji thjeshtësie të merrte me vete në histori pasionale duke e ndjerë veten si tek filmat dhe kënga plot gaz e dhembje e Domeniko Modunjos ose Mister Volares.
Serenata si ‘’Amara Terra’’, “Varka po nisej”, “Baresha e Vogël” ishin diamante në gjerdanin e repertorit të Kasemit që tek interpretimi i tij merrnin një dritë tjetër dhe ngjyresë më vitale se në interpretimet e mëparshme dhe mëpastajme.
''Varka po nisej,
përtej limanit,
ngriti flamurin të udhëtojë,
Ishte një vajzë...bashkë me një djalë!"
Një ndjesi e beftë lumturie dhe trishtimi më pushtoi dhe ishte kjo prekja me zërin nga radio të trios së këngëve “Po punon goca me grep”, “I kam hyp vaporit”, “Jelekun me are’’. Pas kësaj sprove me veten dhe mentalitetin e kohës Kasemi realizoi në pak vite me shumë mund e dashuri afro pesë albume dhe disa koncerte recitale duke qenë dhe protagonist në Televizionit Shtetëror i programit të Vitit të Ri.
Tek butësia atërore e këngëtimit të Kasemit vajza shqiptare ndihet e vlerësuar, e fisme dhe e përskuqur nga ndjenjat si në një pikture impresioniste të Renuarit, e lehtë dhe vallzuese mes peisazhit të shëndetshëm të natyrës.
"Po punon goca me grep
me nj'ato duar porsi pilur,
a s'ma fal nji muhabet;
pas teje u dogja Nur!"
Kuptimin e fjalës Ashik e mësova më vonë në emisjonet kulturore me këngëtarin beratas Pavli Shkarpa si dhe nga drejtuesi i folklorit Esat Ruka duke njohur bëmat sociale dhe suksesin e kantautorit Shyqyri Fuga dhe Isuf Myzyri si bashkëkohës krijimtarie. Në këtë linjë sa argëtuese dhe poetike e shoh dhe ndiej sot si Ashik i këngës popullore e qytetare portretin Kasem Hallullit.
Kur dëgjova vajtimin dashuror “A ka Zot a ka Perëndi ?” vajtuar plot ndjenjë, duke e parë si Romeo dhe Xhuljeta shqiptare; historinë e Ashikut në perëndim të Tiranës, në zonën e Ndroqit, ruajtur nga udhëtari austriak J.G. Hahni, dhe përcjellur nga tiransit breznish në tregimin e folur pranë oxhakut, ndjeva pikëtakimet në kohë të historisë me legjendën. Pas këtyre prusheve nga zjarri i dashurive muzikore shikova më kthjelltas panoramën e bukurive të këtij trualli.
Kasemi nuk ishte i vetëm në stilin e tij mes modernitetit dhe trashëgimisë muzikore, shpesh ai hua-jepte e hua-merrte vlera nga këngëtaret e njohura si Fitnete Rexha dhe Ema Qazimi.
Si koleksionist ai diti të mbledhë me vullnet e mirësi këngët e harruara e të ruajtura tek bartësit në moshë të thyer, madje duke i gjurmuar e vizituar në fshatrat më të thella rajonale plot durim e duke ua ridëgjuar kujdesshëm fjalët origjinale dhe tingëllimën burimore.
Ndonjëherë ngrihem teksa agon dhe marr të skicoj ndonjë portret për tu liruar nga ëndrrat e trazuara. Gjithshka merr kuptim me tingujt sapo nis të luajë kitara romantike dhe dëgjohet nga agregati i kompjuterit violina grishëse në sfond;
‘’Unë jam një lule n’saksi ...
se ma thon emrin Lule mos m'prek!”
Kasem Hallulli ishte zëri relaksues i atyre dimrave të pas dhjetorit në fillim vitet ’90, që na e ngrohte ajrin me tinguj dhe na e bënte botën si festa më e bukur që do ta kish zili çdo kryeqytet.Ndryshimi që solli ishte i padukshëm dhe mbërriti më ngadalë, por zuri vend ndjeshëm në kujtesën e përbashkët.
Nga
Andi Bica
Publikuar tek:
http://www.peshkupauje.com/2013/12/ashiku-i-muzikes-popullore-dhe-qytetare-kasem
19 Dhjetor 2013 - 22:46
sabato 14 dicembre 2013
Refleksion nga ekspozita “Afër dhe Larg” (“Far and Close”) në Galerinë Kombtare të Arteve.
Grisja e Formës në pikturën e Rexhep Ferrit.
nga Andi Bica
Ndjesia e parë sapo hyra në odën piktorike të autorit Rexhep Ferri është Muri si entitet dhe ftohtësia e tij. Një ftohtësi që lëviz në teksturat e nuancimeve të grisë duke duke ofruar pak nga secila ngjyrë.
Leximi krijesave si prerje hijesh më lëvizi imagjinatën duke ndjekur hyrje daljet nga njëra portë e hapur në tjetrën , nga arti tek arti.
Në kuadrot e Ferrit ndihet Dora e Mjeshtrit që di të sendërtojë botërat e tij në telajo duke na dhuruar imazhe me raporte koloristike të ekuilibruara skajshëm.
Natyrshëm dhe e rafinuar shpërhapet vjollca ose e Purpurta ballkanike. Por këtë asimetri në ekuilibër nuk mund ta pohoj për raportet grafike sepse ndiej në disa nga punët se qëllimshëm pikturat bien ose anojnë pak majtas ose djathtas në vartësi të konceptit apo thelbit të veprës.
Ja , tek Eva dhe Adami apo vepra ‘’miti i burrit dhe gruas’’, të errtat anojnë dhe tërheqin Burrin në krahun e tij teksa Gruaja e fton drejt një porte kalimi të kuqe ku graviteti shihet se humbet ose lehtësohet nga Dashuria.Po tek "Toka e Kuqe" ndjehet graviteti i njëkahshëm tek të ngrohtat e dendsuara.
Fizionomia e figurave. - Në ciklet e ekspozitës Larg dhe Afër përveç kuadrove si në konservë dhe busti i bardhë ndihet si zgjedhje a autorit mosprania e portretit e kompesuar me gjuhën e trupave transparent. Tek përmasimi i krijesave që jetësojnë pikturat, Ferri na sjell shtat dhe fizionomi alpine në botkuptimin figural. Lartësia e personazheve në pikturën e Ferrit ndiej se është pjesë e arketipeve të përftuara nga njëra gjeneratë në tjetrën përmes tipareve të racës dhe folkut muzikor.
I rikthehem Murit dhe këmishave të tij që ndërrohen nga njëri tonalitet në tjetrin dhe për këtë garderobë të pasur brenda njollës gri ndiej se përshfaqet mjeshtërisht gustoja fine e krijuesit dhe komplementarja mes ngjyrave dhe njollave që zgjedh.
Muret e Ferrit në ngricën që transmetojnë janë si ekrane përjetimesh:
Kinemaja e Hijeve ritmon brenda tyre duke më intriguar në komunikimin dhe ndërveprimin e figurave, trupave të ajërt që flasin me dromca përjetimesh. Muri ku pikë mbështetet miti grafik i Evropës, është pak më i tkurrur dhe në figurat e pezullta demi që kalërohet dhe zbutet pabindshëm nga hije-bardhi shfaqet në fuqinë e vet përmes vijave të valëzuara.
Sistemi i vijëzimeve që zgjedh Ferri shoh se është më i pranishëm tek vijë lakuarat dhe vijë drejtat sesa vijë thyerat në konstruksionin figural. Hijet hedhin hapa e sfilojnë me kostume të dizenjuara nga dora e një stilisti dhe të prera nga terziu brenda njeriut krijues me copëra plot harkime e lakime prej nga asnjëra nga copëzat e prera nuk hidhet si e tepërt por është pjesë e veshjes njerëzore.
Diptikët e skenave filmike që Rexhep Ferri vendos hera herës ripohojnë ligjësinë se ashtu si vepra qëndron në vetvete ajo është pjesë e ndërlidhur e një zinxhiri krijues në gjithëkohësi. Drita në pikturën e Ferrit manifestohet e largme , uniforme në kundërtitë që ai ngre thekshëm. Ditët dhe netët polare zgjaten por ndërrimi i stinëve nga njëri Mur botëndjesish tek tjetri vjen dhe ikën dukshëm.
Fryma lidhet me gjuhën e formës. Ajo shpërhapet tek perdet që Ferri krijon mbi teksturat sa dramatike po aq paqtuese. Tek vertikaliteti në shtrirje i Hijeve që tentojnë të dalin nga Muret. Dyert dhe dritaret anash dhe midis tyre janë si zgjime nga ëndrra tek zhgjëndrra e anasjelltas që duket si e pambamarimtë.
Tingulli i ngadaltë dhe i ngrirë përshpejtohet në raport me dendësinë e figurave. Melodia që ndiej në tërësin e veprës për nga hijet mbërrin si një poem simfonik dhe si çakordim i akorduar.
Hyrje dalja në Murëtimin e Ferrit më hutoi disi përgjatë degustimit të ekspozitës Afër dhe Larg. Ende nuk po gjej pallto apo qyrk të më ngrohë si duket ngase është ftohtësi e brëndshme.
Por në këtë përgazje festash mes falsitetit dhe sinqeriteti në prag ndërrimi vitesh po ndjekam më të afërt ekuinoksin dimëror.
Duke ndjekur portat e pikturave të ferrit po shoh për ndonjë dalje më të shpejtë për tek porta që të shpie në pranverë.
… Hëna perëndoi teksa shkruaja në mëngjes dhe m’i mori me vete fantazmat e natës. Hija po fillon të më largohet e zmadhohet. Sikur të isha vetë hije… prapë nuk do matesha dot me hijen e Sabahut!
Dhjetor 2012
http://www.peshkupauje.com/2013/12/album/vertikaliteti-ne-shtrirje-tek-pikturat-e-rexhep
venerdì 6 dicembre 2013
FYTYRZIME PELLAZGJIKE
Hyrja në odën e miqve të skulptorit elbasanlli Vladimir Metani është një befasi dhe pasurim brendshëm për secilin vizitor. Atje e gjen veten të rrethuar nga tingujt e violinës së qeshur të Isuf Myzyrit, e mandej në pëshpërimat melodike të zanave.
Me gjuhën e formave parake, si krijues me alkiminë e metaleve Metani, komunikon me këdo që preket me punët e panumërta . Punimet si uji i detit kanë fituar shumë territor ndaj bregut të hapësirave ku jetohet .
Metani dehet me pikën e qumështit të Rozafave dhe vallzon mbi majat e qelesheve të malsorëve tosk e gegë. |
Durimshëm e me dashni Metani mbërrin tek e arta përmes polifonisë së kokave të përndezura nga motivet e uneve gjigande në Ishullin e Pashkëve dhe Pjelloria simbolike e japonezëve antikë.
Galeria e Vladimir Metanit si një guvë në majë të malit, një apartament në katet e larta të pallateve në unazën pranë rrugës së Kavajës,të rrethon mes mijëra shenjave dhe arketipeve ku ndihesh i pasur dhe i plotë.
Rrekja e Metanit, është krijimi i një kujtese kombtare të frymuar nga muzat pellazgjike.
“Ciklopi ” thuhej se farkëtonte shigjeta të zjarrta ndërsa Metani me duart që zbusin e ledhatojnë bronzin e gizën llavore na fton të dëgjojmë një simfoni të panjohur rezonancash.
Me sa shihet kjo është gjuha e rigjetur me shkronjat e një alfabeti të figurshëm. Në këtë sipërmarrje duket se me pafajsinë e vëllait të vogël, Metani ka thirrur e zgjidhur nga zemra e nëntokës titanët e fjetur të Atlantidës.
Nga Andi Bica
Publikuar më 22/02/2011
Gazeta Metropol.
Historia e thyer e një vepre arti.
Lindur më 7 Qershor 1943 në familjen me tradita patriotike Biçaku, e cila mbas prishjes së konferencës së Mukjes u cilësua si "Armike" e regjimit totalitar. Në vitin 1945, familja e Lirimit transferohet në kampet e Kuçovës dhe Beratit, ku nis persekucioni i gjatë si mbështetës të nacionalizmit.
Në vitin 1949 vijon zinxhiri i vuajtjeve nën diktat në
kampet e Tepelenës dhe në Turan. Viti 1954 e gjen në Savër të Lushnjës
ku dhe qëndron më gjatë, duke u bërë rikrijuesi i shatërvanit të
kinemasë së Savrës, marrë si model nga Ermitazhi rus i Petërburgut dhe
kopshtet e varura babilonase të Semiramidës, me qëllim që të vinte në
shpirtrat e vrarë nga sistemi, pakëz jetë. Për këtë iu shtua shkalla e
internimit, në vend të uljes së saj.
Lirim Biçaku, njeri me aftësi të rralla profesionale dhe krijuese përjetoi dhimbjet e ferrit komunist për gjysëm dekade persekutimi, të cilat vështirë se mund të përshkruhen plotësisht. Shprehja "jeta fillonte dhe mbaronte me natë", për të thotë më shumë. Diskriminimi nga vëllavrasësit zgjati deri në ardhjen e demokracisë së shumëpritur. Prej vitit 1998, ai jeton në Tiranë dhe është pjesëmarrës dhe autor i disa ekspozitave në pikturë.
Lirim Biçaku, njeri me aftësi të rralla profesionale dhe krijuese përjetoi dhimbjet e ferrit komunist për gjysëm dekade persekutimi, të cilat vështirë se mund të përshkruhen plotësisht. Shprehja "jeta fillonte dhe mbaronte me natë", për të thotë më shumë. Diskriminimi nga vëllavrasësit zgjati deri në ardhjen e demokracisë së shumëpritur. Prej vitit 1998, ai jeton në Tiranë dhe është pjesëmarrës dhe autor i disa ekspozitave në pikturë.
Dëshira për ndërtimin e një shatërvani ishte një dëshirë për rebelim apo dhënien e një kuptimi më të denjë vuajtjeve tuaja në kampin e Savrës?
Të duash të ndërtosh një shatërvan pa patur asnjë lloj eksperience është pothuajse e pamundur, por unë kisha lexuar të paktën 2000 libra arti në këtë drejtim dhe doja të ndihesha i vlefshëm në komunitetin përreth. I njihja mirë personazhet dhe kisha parë mijëra filma, prandaj atë ngastër të vogël që kishim për të jetuar, dëshiroja ta bëja më të bukur për të gjithë njerëzit. Nuk ishte spontan rikrijimi i atij shatrivani.
I rritur pa prindër në mes të intelektualëve para dhe pas çlirimit, unë mblodha nga të gjitha rrymat pas heqjes së peripecive të mëdha prej hetuesisë.
Kam lënë kujtimet e mia që pres ti botoj së shpejti, por dhe kërkoj si ndërtues dhe piktor të lë gjurmën time.
Si e administrove talentin në pikturë?
Piktura mu ndërpre që në moshën 13 vjeç në kohën e komunizmit, sepse pasi konkurrova dhe fitova Liceun Artistik, historia e tim eti dhe gjyshit më penguan të vazhdoja studimet në artin pamor. Jetoja asokohe në një ambient tepër të ngushtë 7 frymë brenda një barake ndërtuar apostafat për ne, në 9 metra katror ku dhe zhvillova dijet dhe talentin si autodidakt.
Çfarë pati të bukur kampi i përqendrimit të Savrës, për të deklasuarit?
Bukuria e Savrës nuk ndahet nga bukuria e Myzeqesë, sepse ajo është një vend me klimë shumë të mirë, me ujë të bollshëm, ku një punë e mirë e kthen Myzeqenë në një perlë të bollëkut natyror.
Nga ngushtica e barakës ku frymoja, dukej një hardhi e mbjellur mes gurëve arriti të jepte, me pak kujdesim 2 kuintalë rrush jo më të flasësh për mbarë Myzeqenë, nga Lezha deri në Vlorë.
Si rrodhi më tej jeta personale?
U njoha dhe u martova me një vajzë të një familjeje të nderuar të Fierit, por të përçarë nga lufta vëllavrasëse e klasave.
Unë pata fatin të marr vajzën e një pushtetari, që ishte në burg. Mbasi u takuam në burg një nga tregtarët më të mëdhenj të Roskovecit po shkonte me një trastë nga Kavaja, për t'i parë fëmijët në Burrel dhe ky kundërshtari politik bënte shaka me të jatin " a të thashë që yt bir po të merr në qafë dhe jo vetëm ty, por dhe pasurinë tënde sepse të thoshte që do hamë me lugë floriri" Përfundimisht, si për ironi të fatit hanin me thonj, ato trasta që u shpinte i ati në Burrel. I humbën dhe pasurinë dhe shëndetin nga torturat e oficerëve të Sigurimit Komunist.
Si qe shkruar shkurtimisht fati i pemës së familjes Biçaku?
Im atë u martua me një vajzë fshatare në Turqinë Moderne të Ataturkut dhe trashëgoi edukimin dhe kulturën sa orientale, aq edhe perëndimore. Unë, pas ndalimit të Liceut Artistik u kulturova si autodidakt nën persekutimin komunist, duke u llumosur në për baltra më keq se të llumosurit.
Kurse fëmijët e mi, të katërt nga bujq nën diktaturë kryen arsimin e lartë me nota të shkëlqyera në demokraci mbas viteve 90-të dhe arritën të shkollohen edhe në Belgjikë, si dhe të arrijnë funksionet më të larta jashtë vendit.
Ja, ime motër në Bruksel gëzon në saj të përkushtimit, profesionin si doktoreshë dhe aftësive të trashëguara genetikisht zotëron 5 gjuhë të huaja, ka një pasuri të jashtëzakonshme por në kontrast me Shqipërinë, ku dikush me 5 lekë blen dy kollare dhe shfaqet si president firme, ajo ruan një paraqitje tepër të fisme dhe duket si një qytetare e thjeshtë fare e zakonshme evropiane.
Pikturat nga faqja zyrtare e piktorit
Nga Andi Bica
Gazeta Metropol
Nëntor 2006
Simfo xhazi shkodran në ngjyra
Përsiatje rreth veprës së artistit pamor
Gjergj Pali.
|
Shëtitja në parkun natyror të ngrehur prej ëndrrave dhe përjetimeve të piktorit Gjergj Pali në Galerinë Kombtare të Arteve; të bën të ndalesh para Mbretëreshës së Pilivesave. Feminiliteti i krijesës artistike, më fton ta rishoh në realen brenda vetes Mbretëreshën me tiparet e Gruas totemike.Thuhet se alfabeti është shkruar prej Krijuesit në krahët e fluturave, por flatrat e pilivesave bartin meloditë e dashurive të prekura.
Po ndjek udhëtimin fantastik në shtegun përtej pyllit të ëndërrt thurur ngjyra-tingujsh. Ndalem te një shtëpi sa e gurtë po kaq e avullt në formë zemre nga shoh tek përkundet stërgjyshja ose nanëdaja mollza qeshur e malsive të buta të Razmës, jetësuar nga bjeshkët e Shkrelit, përmbi rrafshinën pjellore të luginës së Cemit.
Kolazhi nderet në profil si i fshehur nga sytë e parë të vizitorëve dhe këtu preket dromca e shpirtit (Muzikë e rëndë, 122*80, 2013, vaj në telajo, kolazh) që dlirsohet si një luleje livadhi mu poshtë këmbëve të drurëve të harlisur dhe pak kush prej kalimtarve ul kokën për t’a shijuar.
Për të kuptuar këtë hartë udhëtimi, e për të parë nga lart më mirë , më duhet të ngjis një kodër si mal të akullt në fjetje. Vepra që ripërtërihet hera herës si motiv e emërtuar “Në krahët e Dashurisë “ (132*107, vaj, 2013).
Brenda saj nën flatrat e shpendit të zjarrtë tingullor me kapele si helikopter, tek dy të dashuruarit preka energjinë e plotësimit poetik mes Unit dhe Ti-së të njësuar në ajri.
Çasti përjetsohet me aromën e trandafilit të bardhë luleboras. |
Para se të mbërrij der tek motivi sipëror, zbritja mu hijeshua dhe mendja u përndez nga ky shpirt i qeshur i njeriut-artist.
Tek motivi i rimarrun i peshkut çiklist, piktura “Ëndrra e Peshkut” (50*61 vaj në telajo), dhe tek “Ëndrra e Artë e Peshkut” (61*76 , vaj në telajo) , dëgjoj simfoninë e bejteve komike, vargje të muzikuara shkruar mbi telajo si mbi luspat e peshkut.
Ndiej se u lehtsova nga peshat e frikës duke ndjekur këtë mendim të lumtur, ashtu si dikur shkodranët largoheshin nga makthet e diktatit.
Hyra në pyll duke kënduar si fjalkalim i kodit të etërve shqiptar dhe mu bë se ndigjova dhe zërin e drurit që këndon gazin e jetës tek “Pema Fushëkuqe” e autorit. |
Drita e diellit mesdhetar piklohet e ngrohtë, e ëmbël e ledhatuese në pikturën e Gjergj Palit herë fillarta e herë fillergjendta si filigramet e duarve artizane.
Harmonia ndërmjet njollave si ndjesi përftohet natyrshëm brenda kuadratit të Palit ndërmjet raportit mes të ftohtave dhe të ngrohtave, të errtave dhe çeltinave duke pohuar ekuilibrin në pikturën-ëndërr si mjeshtri e tij.
Tej vlersimeve kritike apriori të ekspozitës nga ndonjë vizitor profesionist se vepra ngjan e lehtë dhe ilustruese; mendoj se në këtë Papeshje, Gjergji më befason me risi në formën e çlirët dhe lëvizjen që krijon përmes ritmeve në kompozim.
Kjo vijimësi ndaj parabolës se nuk del një jetë për të pikturuar si fëmijë; dëshmon se kopshtin e fëminisë Pali e ruan të paprekur ndaj dhe nuk ka harruar nga loja e kohës me kenë artist.
Thirrja nga lisit atëror i gjakut ose geni i vendlindjes (genis patria) manifestohet simfo xhazi prej muzikave ninullore deri tek britma e njeriut polifonist. Kështu duke kërcyer brenda vetes me frymën e gëzueshme, ngazëllimin e sjellur nga festa muzikore mes pikturave të Gjergjit, ndjeva të prekur ëndrrën për t‘u vetë realizuar si artist i disa breznive krijuesish.
Përmbushja e kësaj amanetsie familjare është një tjetër gjëndje qetësie të mirë që mblodha si polen drite në këtë itinerar të fisëm. Tek lirishta përmes fantazive të sinqerta, ndiej Tingullin në Vetvete, të endur bukurisht prej udhëtarit romantik Gjergj Pali.
Postuar nga Revista JAVA , Nëntor 2013 http://www.peshkupauje.com/2013/11/album/simfo-xhazi-shkodran-ne-ngjyra |
Iscriviti a:
Post (Atom)