Babagjyshi nuk ka kujt t'i shkruajë - Komedia e dhimbshme e daljes ne Pension.
Dimri me shirat e ngatrruara dhe acarin e zbutur hyri me logon: Shqipëria dhuron. Shoqëria si ngjarje festiveia mbërriti të dhurojë për të varfërit tepricat dhe ky është lajm i mirë. Tek tuk sa për sy, hudhra e kësaj lëvizjeje kaq pozitive ( që mos u ndaltë kurrë!) ishte dalja nga mjegulla e katër babagjyshërve që papandehur e papritur sajuan ndonjë prapësi foto-higjenike tek një argjendari me një emër që e përforcon Dashurinë kur nuk teprohet si emri “Xhelozia”. Por po ta mendosh pak më hollë dhe artistikisht, në Polin e Veriut nga sa dihet nga publiku prej kinemasë thuhet se janë Elfët e talentuar që ia vënë ndonjëherë shkopinjtë nën slitë Babagjyshit Santa Klaus.
Sivjet u shkruan edhe shumë dëshira në letra të hapura dhe faqe facebooku e rrjete sociale dhe duket se shumë nga lutjet u dëgjuan por nga të tjerë babagjyshër civil. Madje mendoj se vetë dhuruesit bamirës në një kuptim e zëvendësuan dhe e nxorën në pension disi Babagjyshin. Përfytyroj një Babagjysh shqiptar me kostumin jeshil si ai bamirësi i njohur nga Turqia e sotme në ikonën e Shën Nikolasit apo Shën Kolli, mjekërbardhë e faqe kuq me një buzëqeshje të përmbajtur dhe thesin e tkurrur nga i ftohti në kohë krize.
Meqë doli në pension pak para kohe Babagjyshit kryeqytetas të Krishtlindjeve i duhet dhe të shkojë tek zyra e pensionimit në rrugën Myslym Shyri për të dorëzuar dosjen e dokumentave të ish punës. Atje ku vajta dhe unë para disa muajve me time më për të dorëzuar librezën e një punë 35 vjeçare në edukimin dhe argëtimin e dëgjuesve të radios si gazetare krijuese.
Brenda kurrizit të një pallati në kryqëzimin që shkon për tek Drejtoria e Policisë, pata fatin të shikoj nga brenda se çfarë ndodh brenda asaj dere me gardh hekuri ku të moshuarit rrinë në rradhë si para Portës së Shën Pjetrit. Do hyj ndonjëri nga Purgatori i Pritjes pa u mërzitur dhe humbur fillin në rrugëtimin për nga pleqëria.
Në fakt që tek dera ndihet zhvlerësimi i njeriut kur del në pension. Jeta dhe Ëndrrat vërtet nuk paskan mbaruar si thotë dhe spoti i freskuar i një reklame të një banke nga ish aktorët e njohur të filmit shqiptar. Por vetja më thotë se dhe Babagjyshit do dëshpërohej kur të vendosej në pozita pritjeje e rradhash false, ndërkohë që teknologjinë në rritje dhe dixhitalizimin e emrave, dokumentave dhe datave të secilit punonjës lehtësia mund të ishte e ngjashme me printimin e një çertifikate në zyrat e gjendjes civile të cilësdo njësie bashkiake në Tiranë.
Hyj dhe ulem në një stol për të plotësuar një formular të zbehur nga boja e mbaruar e fotokopjes. Jam me fat që kam disa stilolapsa dhe ua dhuroj të moshuarve, burrave e grave, zonjave e zotërinjve majtas e djathas stolit si tek stacioni i dikurshëm i trenit që vijnë edhe nga fshatrat për të marrë në një kuptim përqindjet e depozitave të kursimit të një jete punë si kuaj karroce. Janë brezi i pas luftës së dytë botërore, shumë prej tyre u janë vjedhur energjitë dhe puna e papaguar nëpër aksione, ndërtime vullnetare hidrocentralesh, minierash e veprash publike që sot jepen me konçesion dhe shteti mjel të ardhura të majme nga investitorët e huaj.
Ja ku vjen çasti kur dhe mamaja ime hap librezën dhe papritmas zbulon se disa nga vitet e punës i mungojnë nga pakujdesia dhe pavëmendja e zyrtarëve përkatës.
Këtu kujtoj një nga shprehjet komike të Çurçillit kur pa Shqipërinë dikur dhe vlerësoi se “Gjërat do të shkonin më mirë në këtë vend sikur minimalisht secili të bënte mirë punën e vet”. Mjerisht vërej se këtu bëhesh direkt fajtor dhe etiketohes si problematik përmes teknikës së dalë boje se mbrojtja më e mirë është sulmi kur ua vë në dukje ndonjë të drejtë që kujtdo shtetasi maqedonas nuk i diskutohet në shtetin e vet, pa u krahasuar larg qoftë me një kroat apo slloven. Harrohet kuptimi pse ke ardhur në punë dhe detyrimi primar ndaj klientit që gjithmonë ka të drejtë po ta shihet korrekte mardhënia.
Mirë mendoj po këtij Babagjyshit shqiptar me dosjen e tij shumë vjeçare a ndodh ti shënohet në Librezën e Pun ës se i kanë humbur pakot rrugës, prishur slita, sëmurur ndonjë nga drerët fluturues apo ka dërguar dhurata boshe duke shkelur premtimet e fëmijëve të çdo moshe.
Kthej kokën majtas djathtas dhe shoh shumë sy të rëna, vetulla të ngrysura të përcjellë njerzish nevojtarë të sorrollatur nga mbarë vendi prej një sportelisteje të re, që dika me marifet sa të lindur po aq edhe rafinuar t’ua gjejë sa hap syrin ndonjë defekt në dokumenta duke ua lënë si në jetimore dosjen shumë prej njerzve në pritje. Kushdo që troket tek ky xham është më mirë të kthehet nga ka ardhur qenka formula përjashtuese e kësaj zyrtareje të kualifikuar që përtonka të shkruajë mbi një formular standart.
Mirë se edhe pensioni i Babagjyshit shqiptar me kohë të pjesshme po i cungohet shuma jetike mujore prej lajthitjes së ‘dikujt’ , por iu dashka të presë edhe tre katër muaj deri sa të aprovohet pensioni ‘’post modern’’ prej nuk dihet sesa lekësh.
Babagjyshi shqiptar kostum blertë dhe kapele kuq e zi, përfytyroj sesi buzgaz do kthehej i përmbajtur drejt shtëpisë; të shkonte rrugës tek noteri, të trokiste në ish vendin e punës për të sqaruar gabimet trashanike dhe të merrte si detyrë shtëpie pasi të rikthehej në Polin e Veriut apo në ndonjë nga rezidencat e tij dimërore në malet shqiptare për t’i plotësuar ngadalë e shtruar formularët e Pensionit derisa ti pranohen kuptohet pasi disa kthimesh e rikthimesh.
Më pastaj nga pranvera nëse të ka rënë llotaria e vitlindjes në dimër të duhet me gjetur arkën e kursimeve ku pa komente njihet tabloja mjerane me diçiturën “Mrekullia e Rradhave” tek kioskat e lodhura si kafaze gjigande kanarinash ku ndahen si nga sportele burgu pagesat mujore.
Nëse ke fat dhe hyn në bankë, jeta ndryshon nga nata bëhet ditë.
Shërbimi ndryshon që në pritjen e gëzueshme tek dera me një mirseardhje në botën e komoditetit edhe ku ka pak por janë të sigurta.
Dikur në Shqipëri dhe në mbarë botën e qytetëruar aktualisht dalja në pension tingëllon dhe kremtohet si një festë shoqërore e familjare që zgjat e i dëgjohej zhurma ngado. Tani edhe për Babagjyshin e dhuruesit bashkmoshatar vendas, pensionimi pa pension qenka një tmerr argëtues si brenda një video loje pa fund.
Nessun commento:
Posta un commento