venerdì 6 dicembre 2013

Historia e thyer e një vepre arti.


 

Profil - Piktori Lirim Biçaku.


Lindur më 7 Qershor 1943 në familjen me tradita patriotike Biçaku, e cila mbas prishjes së konferencës së Mukjes u cilësua si "Armike" e regjimit totalitar. Në vitin 1945, familja e Lirimit transferohet në kampet e Kuçovës dhe Beratit, ku nis persekucioni i gjatë si mbështetës të nacionalizmit. 
Në vitin 1949 vijon zinxhiri i vuajtjeve nën diktat në kampet e Tepelenës dhe në Turan. Viti 1954 e gjen në Savër të Lushnjës ku dhe qëndron më gjatë, duke u bërë rikrijuesi i shatërvanit të kinemasë së Savrës, marrë si model nga Ermitazhi rus i Petërburgut dhe kopshtet e varura babilonase të Semiramidës, me qëllim që të vinte në shpirtrat e vrarë nga sistemi, pakëz jetë. Për këtë iu shtua shkalla e internimit, në vend të uljes së saj. 


Lirim Biçaku, njeri me aftësi të rralla profesionale dhe krijuese përjetoi dhimbjet e ferrit komunist për gjysëm dekade persekutimi, të cilat vështirë se mund të përshkruhen plotësisht. Shprehja "jeta fillonte dhe mbaronte me natë", për të thotë më shumë. Diskriminimi nga vëllavrasësit zgjati deri në ardhjen e demokracisë së shumëpritur. Prej vitit 1998, ai jeton në Tiranë dhe është pjesëmarrës dhe autor i disa ekspozitave në pikturë.



Dëshira për ndërtimin e një shatërvani ishte një dëshirë për rebelim apo dhënien e një kuptimi më të denjë vuajtjeve tuaja në kampin e Savrës?


Të duash të ndërtosh një shatërvan pa patur asnjë lloj eksperience është pothuajse e pamundur, por unë kisha lexuar të paktën 2000 libra arti në këtë drejtim dhe doja të ndihesha i vlefshëm në komunitetin përreth. I njihja mirë personazhet dhe kisha parë mijëra filma, prandaj atë ngastër të vogël që kishim për të jetuar, dëshiroja ta bëja më të bukur për të gjithë njerëzit. Nuk ishte spontan rikrijimi i atij shatrivani.

I rritur pa prindër në mes të intelektualëve para dhe pas çlirimit, unë mblodha nga të gjitha rrymat pas heqjes së peripecive të mëdha prej hetuesisë. 






Prisja vetëm dritë, që materialin e akumular ta zbatoja nga hedhja në letër në praktikë. Nqs, për 50 vjet realizova vetëm një shatrivan në një sektor si Savra, mbas ndryshimeve në Shqipëri si rezultat i ndryshimeve më të mëdha, doja që të mos lija në harresë nga jeta ime ato punë që mund t'i lija 
në ndihmë të së ardhmes.

Kam lënë kujtimet e mia që pres ti botoj së shpejti, por dhe kërkoj si ndërtues dhe piktor të lë gjurmën time.


Si e administrove talentin në pikturë?

Piktura mu ndërpre që në moshën 13 vjeç në kohën e komunizmit, sepse pasi konkurrova dhe fitova Liceun Artistik, historia e tim eti dhe gjyshit më penguan të vazhdoja studimet në artin pamor. Jetoja asokohe në një ambient tepër të ngushtë 7 frymë brenda një barake ndërtuar apostafat për ne, në 9 metra katror ku dhe zhvillova dijet dhe talentin si autodidakt.


 
Çfarë pati të bukur kampi i përqendrimit të Savrës, për të deklasuarit?

 

Bukuria e Savrës nuk ndahet nga bukuria e Myzeqesë, sepse ajo është një vend me klimë shumë të mirë, me ujë të bollshëm, ku një punë e mirë e kthen Myzeqenë në një perlë të bollëkut natyror. 


Nga ngushtica e barakës ku frymoja, dukej një hardhi e mbjellur mes gurëve arriti të jepte, me pak kujdesim 2 kuintalë rrush jo më të flasësh për mbarë Myzeqenë, nga Lezha deri në Vlorë.

Si rrodhi më tej jeta personale?

U njoha dhe u martova me një vajzë të një familjeje të nderuar të Fierit, por të përçarë nga lufta vëllavrasëse e klasave. 

Unë pata fatin të marr vajzën e një pushtetari, që ishte në burg. Mbasi u takuam në burg një nga tregtarët më të mëdhenj të Roskovecit po shkonte me një trastë nga Kavaja, për t'i parë fëmijët në Burrel dhe ky kundërshtari politik bënte shaka me të jatin " a të thashë që yt bir po të merr në qafë dhe jo vetëm ty, por dhe pasurinë tënde sepse të thoshte që do hamë me lugë floriri" Përfundimisht, si për ironi të fatit hanin me thonj, ato trasta që u shpinte i ati në Burrel. I humbën dhe pasurinë dhe shëndetin nga torturat e oficerëve të Sigurimit Komunist.



  Si qe shkruar shkurtimisht fati i pemës së familjes Biçaku?

Im atë u martua me një vajzë fshatare në Turqinë Moderne të Ataturkut dhe trashëgoi edukimin dhe kulturën sa orientale, aq edhe perëndimore. Unë, pas ndalimit të Liceut Artistik u kulturova si autodidakt nën persekutimin komunist, duke u llumosur në për baltra më keq se të llumosurit. 


Kurse fëmijët e mi, të katërt nga bujq nën diktaturë kryen arsimin e lartë me nota të shkëlqyera në demokraci mbas viteve 90-të dhe arritën të shkollohen edhe në Belgjikë, si dhe të arrijnë funksionet më të larta jashtë vendit.


 Ja, ime motër në Bruksel gëzon në saj të përkushtimit, profesionin si doktoreshë dhe aftësive të trashëguara genetikisht zotëron 5 gjuhë të huaja, ka një pasuri të jashtëzakonshme por në kontrast me Shqipërinë, ku dikush me 5 lekë blen dy kollare dhe shfaqet si president firme, ajo ruan një paraqitje tepër të fisme dhe duket si një qytetare e thjeshtë fare e zakonshme evropiane. 


Pikturat nga faqja zyrtare e piktorit 



Nga Andi Bica
Gazeta Metropol
Nëntor 2006

Nessun commento:

Posta un commento