martedì 24 dicembre 2013

                                            A Lucky Christmas and
                        a Fantastic New Year!!!

      Gëzuar Krishtlindjen!!!


  Andi Bica

sabato 21 dicembre 2013

Ashiku i muzikës popullore dhe qytetare - Kasem Hallulli


" Zëri që ngrohte dhe argëtonte kryeqytetasit e viteve '90."

 Rijetova fillimet e viteve nëntëdhjetë këtë fund viti gjatë natës së bardhë e ditës së bekuar rinore, por nuk ia le dot vetes luksin, pa e kujtuar atë pjesë të ndryshimit që erdhi në Tiranën e pas komunizmit me muzikën. Nuk i referohem rrymave muzikore të skenave televizive apo diskove rinore që kuptohet patën ndikimin e tyre në hapjen e shqisave për çdo shqiptar të Shqipërisë.



Një tjetër tingull vinte nga qendra e Tiranës, madje nga aksi i Sahatit, hynte i ëmbël drejt e në zemrën e kryeqytetasit që sapo ish prekur pa frikë me lirinë e shprehjes.  Ulur te ish lokali Bashkia si  ballkon para Bashkisë së Tiranës, njerzit rrinin në pritje mbas orës tetë të fillonte mbrëmja. Linin jashtë derës me vetratë rrobat e pista të halleve e streseve të bartura dhe  ishin gjithë sy e veshë tek këndi i Orkestrës tiranse. Atje pritnin me gaz e frymarrje të ngadalsuar të ndodhte magjia.



Nuk jam muzikolog të shpjegoj dukurinë artistike apo të analizoj vlerat vokale të këngtarit Kasem Hallulli por si mik i familjes, gazetar kulture dhe spektator aktiv po përpiqem të kujtoj pak nga hiri i atij emocioni të papërsëritshëm.


Tek Kasemi kur niste festa e mbrëmjes argëtimi ishte i pambarimtë dhe njerëzit shfrenin e lironin veten prej ngarkesave të ditës dhe viteve të jetës së izoluar e privuar nga të shprehurit e fjalës dhe mendimit ndryshe.Këtë gjuhë tjetër të shkarkesës së dhimbjes ai e njihte, praktikonte dhe përshfaqte më mire se kushdo tjetër mes muzikantëve që e rrethonin.


Njëri prej tyre pinjolli i tiranas i traditës disa brezash nga u realizua dhe Stradivarit shqiptar, ljutari Ramazan Gurra më tregoi për netët e dikurshme plot emocion. Duke prekur violinat në qoshkun laborator të instrumentave në Universitetin e Arteve, profesor Rami më zbuloi dhe disa foto bardhë e zi nga dukej shpërthimi i pasionit të katërshes sa popullore po aq edhe qytetare.Më habit dhe fakti se vijon lidhja muzikore e familjare  mes trashgimtarëve të tyre Edi Hallullit violinistit të diplomuar në konservatorin e Vjenës dhe Erli Gurrës, të parit shqiptar të diplomuar në shkollën e Antonio Stradivarit në Kremona të Italisë.




Kasemi në biseda më tregonte me admirim për  etërit e familjes së tij tiranase autoktone si kryebashkiaku që mbajti gjallë shtëpinë e fëmijës një vit pas Pavarsisë kombtare, filantropi Zyber Hallulli. Për modelin e kulturës shumë gjuhsore të të parëve shkolluar si në Universitetet e Lindjes dhe Perëndimit;  vetë Kasemi ishte shembulli direkt i plotësimit të amanetit. Ai me arratisjen nga Shqipëria fundvitet ’80 drejt Austrisë arriti qëllimin e formimit profesional të të birit dhe trashgimtarit të tij në talentin muzikor.


Rikthehem tek efekti i zërit të Kasem Hallullit. Muzikaliteti ndihej edhe kur komunikonte lirisht por këngëtimi i tij ishte sipëror. 

Tingulli onirik më largonte nga realiteti i pa motivuar drej  një bote  ndjenjash e ledhkash plot dashuri.  

Shprehja më e plotë e tij me kitarën akustike si zgjatim i shpirtit,  me një magji thjeshtësie të merrte  me vete në histori pasionale duke e ndjerë veten si tek filmat dhe kënga plot gaz e dhembje e Domeniko Modunjos ose Mister Volares. 

Serenata si ‘’Amara Terra’’, “Varka po nisej”, “Baresha e Vogël”  ishin diamante në gjerdanin e repertorit të Kasemit që tek interpretimi i tij merrnin një dritë tjetër dhe ngjyresë më vitale se në interpretimet e mëparshme dhe mëpastajme.

''Varka po nisej,

përtej limanit,

ngriti flamurin të udhëtojë,

Ishte një vajzë...bashkë me një djalë!"



Fati i Modunjos do ta prekte si nga pëlqimi absolut i publikut vendas dhe i turistëve, po ashtu edhe  nga mospranimi i disa drejtuesve mediatik të kohës dhe përballjen e sfidën ndaj mediokritetit që hasën regjistrimet e para në Radio Tirana. Kuptohet se ishte e vetmja radio shqiptare asokohe. Si të parat regjistrime zyrtare ato ruhen në fondin zanor ose Fonotekën e radios si dëshmi e vlerave të interpretuesit dhe e një pjese e mozaikut të munguar vitesh tek lista e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. 

Një ndjesi e beftë lumturie dhe trishtimi më pushtoi dhe  ishte kjo  prekja me zërin nga radio  të trios së këngëve “Po punon goca me grep”, “I kam hyp vaporit”, “Jelekun me are’’. Pas kësaj sprove me veten dhe mentalitetin e kohës Kasemi realizoi në pak vite me shumë mund e dashuri afro pesë albume dhe disa koncerte recitale duke qenë dhe protagonist në Televizionit Shtetëror i programit të Vitit të Ri.
Tek butësia atërore e këngëtimit të Kasemit vajza shqiptare ndihet e vlerësuar, e fisme dhe e përskuqur nga ndjenjat si në një pikture impresioniste të Renuarit, e lehtë dhe vallzuese mes peisazhit të shëndetshëm të natyrës.

"Po punon goca me grep

me nj'ato duar porsi pilur,

a s'ma fal nji muhabet;

pas teje u dogja Nur!"



Kuptimin e fjalës Ashik e mësova më vonë në emisjonet kulturore me këngëtarin beratas Pavli Shkarpa si dhe nga drejtuesi i folklorit Esat Ruka duke njohur bëmat sociale dhe suksesin e kantautorit Shyqyri Fuga dhe Isuf Myzyri si bashkëkohës krijimtarie. Në këtë linjë sa argëtuese dhe poetike e shoh dhe ndiej sot si Ashik i  këngës popullore e qytetare portretin Kasem Hallullit.


Kur dëgjova  vajtimin dashuror  “A ka Zot a ka Perëndi ?” vajtuar plot ndjenjë, duke e  parë  si Romeo dhe Xhuljeta shqiptare;  historinë e Ashikut në perëndim të Tiranës, në zonën e Ndroqit, ruajtur nga udhëtari austriak J.G. Hahni, dhe përcjellur nga tiransit breznish në tregimin e folur pranë oxhakut,  ndjeva pikëtakimet në kohë të historisë me legjendën. Pas këtyre prusheve nga zjarri i dashurive muzikore shikova më kthjelltas panoramën e bukurive të këtij trualli.

Kasemi nuk ishte i vetëm në stilin e tij mes modernitetit dhe trashëgimisë muzikore, shpesh ai hua-jepte e hua-merrte vlera nga këngëtaret e njohura si Fitnete Rexha dhe Ema Qazimi.
Si koleksionist ai diti të mbledhë me vullnet e mirësi këngët e harruara e të ruajtura tek bartësit në moshë të thyer, madje duke i gjurmuar e vizituar në fshatrat më të thella rajonale plot durim e duke ua ridëgjuar kujdesshëm fjalët origjinale dhe tingëllimën burimore.

Ndonjëherë ngrihem teksa agon dhe marr të skicoj ndonjë portret për tu liruar nga ëndrrat e trazuara. Gjithshka merr kuptim me tingujt sapo nis të luajë kitara romantike dhe dëgjohet nga agregati i kompjuterit violina grishëse në sfond;

‘’Unë jam një lule n’saksi ...

se ma thon emrin Lule mos m'prek!”



Kasem Hallulli  ishte zëri relaksues i atyre dimrave të  pas dhjetorit në fillim vitet ’90, që na e ngrohte ajrin me tinguj dhe na e  bënte botën si festa më e bukur që do ta kish zili çdo kryeqytet.Ndryshimi që solli ishte i padukshëm dhe mbërriti më ngadalë, por zuri vend ndjeshëm në kujtesën e përbashkët.

Nga 
Andi Bica
 
Publikuar tek:
http://www.peshkupauje.com/2013/12/ashiku-i-muzikes-popullore-dhe-qytetare-kasem
 19 Dhjetor 2013 - 22:46

sabato 14 dicembre 2013

Refleksion nga ekspozita “Afër dhe Larg” (“Far and Close”) në Galerinë Kombtare të Arteve.

Grisja e Formës në pikturën e Rexhep Ferrit.
nga Andi Bica



Ndjesia e parë sapo hyra në odën piktorike të autorit Rexhep Ferri është Muri si entitet dhe ftohtësia e tij.  Një ftohtësi që lëviz në teksturat e nuancimeve të grisë duke duke ofruar pak nga secila ngjyrë. 

Leximi krijesave si prerje hijesh më lëvizi imagjinatën duke ndjekur  hyrje daljet nga njëra portë e hapur në tjetrën , nga arti tek arti. 

Në kuadrot e  Ferrit ndihet Dora e Mjeshtrit që di të sendërtojë botërat e tij në telajo duke na dhuruar imazhe me raporte koloristike të ekuilibruara skajshëm.  

Natyrshëm  dhe  e rafinuar shpërhapet vjollca ose  e Purpurta ballkanike. Por këtë asimetri në ekuilibër nuk mund ta pohoj  për raportet grafike sepse ndiej në disa nga punët se qëllimshëm pikturat bien ose anojnë pak  majtas ose djathtas në vartësi të konceptit apo thelbit të veprës.

Ja , tek Eva dhe Adami apo vepra ‘’miti i burrit dhe gruas’’, të errtat anojnë dhe tërheqin Burrin në krahun e tij teksa Gruaja e fton drejt një porte kalimi të kuqe ku graviteti shihet se humbet ose lehtësohet nga Dashuria.Po tek "Toka e Kuqe" ndjehet graviteti i njëkahshëm tek të ngrohtat e dendsuara.

Fizionomia e figurave. - Në ciklet e ekspozitës Larg dhe Afër  përveç kuadrove si në konservë dhe busti i bardhë  ndihet si zgjedhje a autorit mosprania e portretit e kompesuar me gjuhën e trupave transparent. Tek përmasimi  i krijesave që jetësojnë pikturat,  Ferri na sjell shtat dhe fizionomi alpine  në botkuptimin figural. Lartësia e personazheve në pikturën e Ferrit ndiej se është pjesë e arketipeve të përftuara  nga njëra gjeneratë në tjetrën përmes tipareve të racës dhe folkut muzikor.


I rikthehem Murit dhe këmishave të tij që ndërrohen nga njëri tonalitet në tjetrin dhe për këtë garderobë të pasur brenda njollës gri ndiej se përshfaqet mjeshtërisht gustoja fine e krijuesit dhe komplementarja mes ngjyrave dhe njollave që zgjedh. 

Muret e Ferrit në ngricën që transmetojnë janë si ekrane përjetimesh: 

Kinemaja e Hijeve ritmon brenda tyre duke më intriguar në komunikimin dhe ndërveprimin e figurave, trupave të ajërt që flasin me dromca përjetimesh. Muri ku pikë mbështetet miti grafik i Evropës, është pak  më i tkurrur  dhe në figurat e pezullta  demi që kalërohet dhe zbutet pabindshëm nga hije-bardhi shfaqet në fuqinë e vet përmes vijave të valëzuara.

Sistemi i vijëzimeve që zgjedh Ferri shoh se është më i pranishëm tek vijë lakuarat dhe vijë drejtat sesa vijë thyerat në konstruksionin figural. Hijet hedhin hapa e  sfilojnë me kostume të dizenjuara  nga dora e një stilisti dhe të  prera nga terziu brenda njeriut krijues  me copëra plot harkime e lakime prej nga asnjëra nga copëzat e prera nuk  hidhet si e tepërt por është pjesë e veshjes njerëzore.

Diptikët e skenave filmike që Rexhep Ferri vendos hera herës ripohojnë ligjësinë se ashtu si vepra qëndron në vetvete ajo  është  pjesë e ndërlidhur e një zinxhiri krijues në gjithëkohësi. Drita në pikturën e Ferrit manifestohet e largme , uniforme në kundërtitë që ai ngre thekshëm. Ditët dhe netët polare zgjaten por ndërrimi i stinëve nga njëri Mur botëndjesish tek tjetri vjen dhe ikën dukshëm.

Fryma  lidhet me gjuhën e formës. Ajo shpërhapet tek perdet që Ferri krijon mbi teksturat sa dramatike po aq paqtuese. Tek vertikaliteti në shtrirje i Hijeve që tentojnë të dalin nga Muret. Dyert dhe dritaret  anash dhe midis tyre janë si zgjime nga ëndrra tek zhgjëndrra e anasjelltas që duket si e pambamarimtë.
Tingulli i ngadaltë dhe i ngrirë përshpejtohet në raport me dendësinë e figurave. Melodia që ndiej në tërësin e veprës  për nga hijet mbërrin si një poem simfonik dhe si çakordim i akorduar.



Hyrje dalja në Murëtimin e Ferrit më hutoi disi  përgjatë degustimit të ekspozitës Afër dhe Larg. Ende nuk po gjej pallto apo qyrk të më ngrohë si duket ngase është ftohtësi e brëndshme. 

Por në këtë përgazje festash mes falsitetit dhe sinqeriteti në prag ndërrimi vitesh po ndjekam më të afërt ekuinoksin dimëror. 

Duke ndjekur portat e pikturave të ferrit po shoh për ndonjë dalje më të shpejtë për tek porta që të shpie në pranverë. 
… Hëna perëndoi teksa shkruaja në mëngjes dhe m’i mori me vete fantazmat e natës. Hija po fillon të më largohet e zmadhohet.  Sikur të isha vetë hije… prapë nuk do matesha dot me hijen e Sabahut! 

Dhjetor 2012
http://www.peshkupauje.com/2013/12/album/vertikaliteti-ne-shtrirje-tek-pikturat-e-rexhep

venerdì 6 dicembre 2013

FYTYRZIME PELLAZGJIKE

NË SHTËPINË E SKULPTORIT VLADIMIR METANI

 

“Ciklopi ” thuhej se farkëtonte shigjeta të zjarrta ndërsa Metani me duart që zbusin e ledhatojnë bronzin e gizën llavore na fton të dëgjojmë një simfoni të panjohur rezonancash.
Me sa shihet kjo është gjuha e rigjetur me shkronjat e një alfabeti të figurshëm. Në këtë sipërmarrje duket se me pafajsinë e vëllait të vogël, Metani ka thirrur e zgjidhur nga zemra e nëntokës titanët e fjetur të Atlantidës. 



Hyrja në odën e miqve të skulptorit elbasanlli Vladimir Metani është një befasi dhe pasurim brendshëm për secilin vizitor. Atje e gjen veten të rrethuar nga tingujt e violinës së qeshur të Isuf Myzyrit, e mandej në pëshpërimat melodike të zanave.

 
Ladi siç është mësuar ta thërrasin është bartësi dhe prurësi i furishëm i kësaj përtej bote, vetëm përmes duarve dhe syrit ciklopik të fantazisë. Kuzhina ose salla e pritjes së miqve prej vitesh është shndërruar në një muze të legjendave parailire , që shpien drejt fillimsisë së njerëzimit. 





Me gjuhën e formave parake, si krijues me alkiminë e metaleve Metani, komunikon me këdo që preket me punët e panumërta . Punimet si uji i detit kanë fituar shumë territor ndaj bregut të hapësirave ku jetohet . 




Simbolet e pjellorisë si “Pani”, ish perëndia i botës baritore, gjiu i zanave krijojnë dhe legjenda të reja për mitet moderne shqiptare si Kosova dhe divat e saj. 




Të zgjosh antikitetin është një emocion mbinjerëzor. Metani shfaqet i sinqertë në kufirin mes fëmijërisë dhe pleqërisë, portave të hapura të lindjes dhe përtej jetës

 Kokat e tonuara në okër dhe jeshile në blu, pjatat rrethore të nderura në katër muret, dysheme dhe tavan rrëfejnë një tjetër histori, atë të genit shqiptar.




Metani dehet me pikën e qumështit të Rozafave dhe vallzon mbi majat e qelesheve të malsorëve tosk e gegë.

Durimshëm e me dashni Metani mbërrin tek e arta përmes polifonisë së kokave të përndezura nga motivet e uneve gjigande në Ishullin e Pashkëve dhe Pjelloria simbolike e japonezëve antikë.



Galeria e Vladimir Metanit si një guvë në majë të malit, një apartament në katet e larta të pallateve në unazën pranë rrugës së Kavajës,të rrethon mes mijëra shenjave dhe arketipeve ku ndihesh i pasur dhe i plotë. 



Rrekja e Metanit, është krijimi i një kujtese kombtare të frymuar nga muzat pellazgjike.

“Ciklopi ” thuhej se farkëtonte shigjeta të zjarrta ndërsa Metani me duart që zbusin e ledhatojnë bronzin e gizën llavore na fton të dëgjojmë një simfoni të panjohur rezonancash. 

Me sa shihet kjo është gjuha e rigjetur me shkronjat e një alfabeti të figurshëm. Në këtë sipërmarrje duket se me pafajsinë e vëllait të vogël, Metani ka thirrur e zgjidhur nga zemra e nëntokës titanët e fjetur të Atlantidës.

Si eksplorues landor, Metani ka shtënë tani dashuri me gurët dhe fytyrzimin e jashtë tokësorëve tek ta.  
Me duart e ndjeshme që janë shndërruar në instrumenta të formës kozmike, Metani na sjell tinguj jete nga planete dhe yjësi të reja!


Nga Andi Bica


Gazeta Metropol. 

Historia e thyer e një vepre arti.


 

Profil - Piktori Lirim Biçaku.


Lindur më 7 Qershor 1943 në familjen me tradita patriotike Biçaku, e cila mbas prishjes së konferencës së Mukjes u cilësua si "Armike" e regjimit totalitar. Në vitin 1945, familja e Lirimit transferohet në kampet e Kuçovës dhe Beratit, ku nis persekucioni i gjatë si mbështetës të nacionalizmit. 
Në vitin 1949 vijon zinxhiri i vuajtjeve nën diktat në kampet e Tepelenës dhe në Turan. Viti 1954 e gjen në Savër të Lushnjës ku dhe qëndron më gjatë, duke u bërë rikrijuesi i shatërvanit të kinemasë së Savrës, marrë si model nga Ermitazhi rus i Petërburgut dhe kopshtet e varura babilonase të Semiramidës, me qëllim që të vinte në shpirtrat e vrarë nga sistemi, pakëz jetë. Për këtë iu shtua shkalla e internimit, në vend të uljes së saj. 


Lirim Biçaku, njeri me aftësi të rralla profesionale dhe krijuese përjetoi dhimbjet e ferrit komunist për gjysëm dekade persekutimi, të cilat vështirë se mund të përshkruhen plotësisht. Shprehja "jeta fillonte dhe mbaronte me natë", për të thotë më shumë. Diskriminimi nga vëllavrasësit zgjati deri në ardhjen e demokracisë së shumëpritur. Prej vitit 1998, ai jeton në Tiranë dhe është pjesëmarrës dhe autor i disa ekspozitave në pikturë.



Dëshira për ndërtimin e një shatërvani ishte një dëshirë për rebelim apo dhënien e një kuptimi më të denjë vuajtjeve tuaja në kampin e Savrës?


Të duash të ndërtosh një shatërvan pa patur asnjë lloj eksperience është pothuajse e pamundur, por unë kisha lexuar të paktën 2000 libra arti në këtë drejtim dhe doja të ndihesha i vlefshëm në komunitetin përreth. I njihja mirë personazhet dhe kisha parë mijëra filma, prandaj atë ngastër të vogël që kishim për të jetuar, dëshiroja ta bëja më të bukur për të gjithë njerëzit. Nuk ishte spontan rikrijimi i atij shatrivani.

I rritur pa prindër në mes të intelektualëve para dhe pas çlirimit, unë mblodha nga të gjitha rrymat pas heqjes së peripecive të mëdha prej hetuesisë. 






Prisja vetëm dritë, që materialin e akumular ta zbatoja nga hedhja në letër në praktikë. Nqs, për 50 vjet realizova vetëm një shatrivan në një sektor si Savra, mbas ndryshimeve në Shqipëri si rezultat i ndryshimeve më të mëdha, doja që të mos lija në harresë nga jeta ime ato punë që mund t'i lija 
në ndihmë të së ardhmes.

Kam lënë kujtimet e mia që pres ti botoj së shpejti, por dhe kërkoj si ndërtues dhe piktor të lë gjurmën time.


Si e administrove talentin në pikturë?

Piktura mu ndërpre që në moshën 13 vjeç në kohën e komunizmit, sepse pasi konkurrova dhe fitova Liceun Artistik, historia e tim eti dhe gjyshit më penguan të vazhdoja studimet në artin pamor. Jetoja asokohe në një ambient tepër të ngushtë 7 frymë brenda një barake ndërtuar apostafat për ne, në 9 metra katror ku dhe zhvillova dijet dhe talentin si autodidakt.


 
Çfarë pati të bukur kampi i përqendrimit të Savrës, për të deklasuarit?

 

Bukuria e Savrës nuk ndahet nga bukuria e Myzeqesë, sepse ajo është një vend me klimë shumë të mirë, me ujë të bollshëm, ku një punë e mirë e kthen Myzeqenë në një perlë të bollëkut natyror. 


Nga ngushtica e barakës ku frymoja, dukej një hardhi e mbjellur mes gurëve arriti të jepte, me pak kujdesim 2 kuintalë rrush jo më të flasësh për mbarë Myzeqenë, nga Lezha deri në Vlorë.

Si rrodhi më tej jeta personale?

U njoha dhe u martova me një vajzë të një familjeje të nderuar të Fierit, por të përçarë nga lufta vëllavrasëse e klasave. 

Unë pata fatin të marr vajzën e një pushtetari, që ishte në burg. Mbasi u takuam në burg një nga tregtarët më të mëdhenj të Roskovecit po shkonte me një trastë nga Kavaja, për t'i parë fëmijët në Burrel dhe ky kundërshtari politik bënte shaka me të jatin " a të thashë që yt bir po të merr në qafë dhe jo vetëm ty, por dhe pasurinë tënde sepse të thoshte që do hamë me lugë floriri" Përfundimisht, si për ironi të fatit hanin me thonj, ato trasta që u shpinte i ati në Burrel. I humbën dhe pasurinë dhe shëndetin nga torturat e oficerëve të Sigurimit Komunist.



  Si qe shkruar shkurtimisht fati i pemës së familjes Biçaku?

Im atë u martua me një vajzë fshatare në Turqinë Moderne të Ataturkut dhe trashëgoi edukimin dhe kulturën sa orientale, aq edhe perëndimore. Unë, pas ndalimit të Liceut Artistik u kulturova si autodidakt nën persekutimin komunist, duke u llumosur në për baltra më keq se të llumosurit. 


Kurse fëmijët e mi, të katërt nga bujq nën diktaturë kryen arsimin e lartë me nota të shkëlqyera në demokraci mbas viteve 90-të dhe arritën të shkollohen edhe në Belgjikë, si dhe të arrijnë funksionet më të larta jashtë vendit.


 Ja, ime motër në Bruksel gëzon në saj të përkushtimit, profesionin si doktoreshë dhe aftësive të trashëguara genetikisht zotëron 5 gjuhë të huaja, ka një pasuri të jashtëzakonshme por në kontrast me Shqipërinë, ku dikush me 5 lekë blen dy kollare dhe shfaqet si president firme, ajo ruan një paraqitje tepër të fisme dhe duket si një qytetare e thjeshtë fare e zakonshme evropiane. 


Pikturat nga faqja zyrtare e piktorit 



Nga Andi Bica
Gazeta Metropol
Nëntor 2006

Simfo xhazi shkodran në ngjyra



 
Përsiatje rreth veprës së artistit pamor
 Gjergj Pali.



Shëtitja në parkun natyror të ngrehur prej ëndrrave dhe përjetimeve të piktorit Gjergj Pali në  Galerinë Kombtare të Arteve; të bën të ndalesh para Mbretëreshës së Pilivesave. Feminiliteti i krijesës artistike, më fton ta rishoh në realen brenda vetes Mbretëreshën me tiparet e Gruas totemike.Thuhet se alfabeti është shkruar prej Krijuesit në krahët e fluturave, por flatrat e pilivesave bartin meloditë e dashurive  të prekura.

Po ndjek udhëtimin fantastik në shtegun  përtej pyllit  të  ëndërrt  thurur ngjyra-tingujsh. Ndalem te një shtëpi  sa e gurtë po kaq e avullt në formë zemre nga  shoh tek përkundet stërgjyshja ose  nanëdaja mollza qeshur e malsive të buta të Razmës, jetësuar nga bjeshkët e Shkrelit, përmbi rrafshinën pjellore të luginës së Cemit. 

 
Filli i saj argjendit  end një tjetër melodi  zgjuese, është “Muzika e  rëndë” e feminisë së Gjergj Palit. Jaret shndërrohen në simfoni xhazi dhe në qiellin e ulur nga artisti më lëvizin shumë dritëza të ngjyrta plot  yje vezullimesh.



Kolazhi nderet në profil si i fshehur nga sytë e parë të vizitorëve dhe këtu preket  dromca e shpirtit (Muzikë e rëndë, 122*80, 2013, vaj në telajo, kolazh) që dlirsohet si një luleje livadhi mu poshtë këmbëve të drurëve të harlisur dhe pak kush prej kalimtarve ul kokën për t’a shijuar.

Për të kuptuar këtë  hartë udhëtimi,  e për të parë nga lart më mirë , më duhet të ngjis një kodër si mal të akullt në fjetje. Vepra  që ripërtërihet hera herës si motiv  e  emërtuar “Në krahët e Dashurisë “ (132*107, vaj, 2013).

Brenda saj nën  flatrat e shpendit të zjarrtë  tingullor me kapele si helikopter, tek dy të dashuruarit preka energjinë e plotësimit poetik  mes Unit dhe Ti-së të njësuar në ajri.

 
Çasti përjetsohet me aromën e trandafilit të bardhë luleboras.


Para se të mbërrij der tek motivi sipëror,  zbritja mu hijeshua dhe mendja u përndez nga ky shpirt i qeshur i njeriut-artist.
Tek motivi i rimarrun i  peshkut çiklist, piktura “Ëndrra e Peshkut” (50*61 vaj në telajo), dhe tek “Ëndrra e Artë e Peshkut” (61*76 , vaj në telajo) , dëgjoj  simfoninë e bejteve komike, vargje të muzikuara shkruar mbi telajo si mbi luspat e peshkut.
Ndiej se  u lehtsova nga peshat e frikës duke ndjekur këtë mendim të lumtur, ashtu si dikur shkodranët largoheshin nga makthet e diktatit.

Hyra  në pyll duke kënduar si fjalkalim i kodit të etërve shqiptar dhe mu bë se ndigjova dhe zërin e drurit që këndon gazin e jetës tek “Pema Fushëkuqe” e autorit.

Drita e diellit mesdhetar piklohet e ngrohtë, e ëmbël e ledhatuese në pikturën e Gjergj Palit herë  fillarta e herë fillergjendta si filigramet e duarve artizane.
Harmonia ndërmjet njollave si ndjesi përftohet natyrshëm brenda kuadratit të Palit ndërmjet raportit mes të ftohtave dhe të ngrohtave, të errtave dhe çeltinave duke pohuar ekuilibrin në pikturën-ëndërr si  mjeshtri e tij.   
Tej vlersimeve kritike apriori të ekspozitës nga ndonjë vizitor profesionist se vepra ngjan e lehtë dhe ilustruese; mendoj se në këtë Papeshje, Gjergji  më befason  me risi në formën e çlirët dhe lëvizjen që krijon përmes ritmeve në kompozim.
Kjo  vijimësi ndaj  parabolës se  nuk  del një jetë për të pikturuar si fëmijë; dëshmon se kopshtin e fëminisë Pali e ruan të paprekur ndaj dhe nuk ka harruar nga loja e kohës me kenë artist.
Thirrja nga lisit atëror i gjakut ose geni i vendlindjes  (genis patria) manifestohet simfo xhazi prej  muzikave ninullore deri tek britma e njeriut polifonist. Kështu duke kërcyer brenda vetes me frymën e gëzueshme, ngazëllimin e sjellur nga festa muzikore mes pikturave të Gjergjit, ndjeva të prekur ëndrrën për t‘u vetë realizuar si artist i disa breznive krijuesish.

Përmbushja e kësaj amanetsie familjare është një tjetër gjëndje qetësie të mirë që mblodha si polen drite në këtë itinerar të fisëm. Tek  lirishta përmes fantazive të sinqerta, ndiej Tingullin në Vetvete, të endur  bukurisht prej udhëtarit romantik Gjergj Pali.

 
Postuar  nga Revista JAVA , Nëntor 2013  http://www.peshkupauje.com/2013/11/album/simfo-xhazi-shkodran-ne-ngjyra

martedì 22 ottobre 2013

UDHETIM DREJT VETVETES NE AROME SHQIPERIE




Andi Bica
gazetar
Ekzotikja nuk është  e vetmja tërheqje ndaj vlerave që mund të zbulosh në udhëtim  tek  njerzit dhe vendet jashtë hartës. E parë përmes një syri tjetër, por duke vënë në veprim edhe tre shqisa tejet të rëndsishme e shpesh të fjetura si ajo e shijes, nuhatjes dhe prekjes në një kërcim tangoje si ajo e Al Paçinos  ia mbërrin të ndjesh më mirë parfumin e gruas, mëmës apo vajzës së bukur që është vetë Shqipëria.



Përgjatë një viti udhëtimesh të nisura më herët në vitin 2006 me ciklin e telereportazheve “Çelnaja” në Televizionin Shqiptar të mbështetur tek risitë e shtëpive shqiptare,  dhe të vijuar  në një format më të plotë e profesional në Albanian Screen TV  nën emrin “Aromë Shqipërie” ; udhëtimi pasurues njohu një përmasim edhe  më estetik e jetësor.


Harmonia në diversitet qe Filli lidhës  brenda një itinerari përshkrues jo drejtvizor  ndaj vendeve të një territori herë të largët e herë të afërt gjeografikisht; në të veçantat e  bashkive dhe komunave që shpesh rezultuan plot kundërti dhe ndryshime të thekshme por si pjesë e natyrshme e një tërësie mozaike.

Nga Berati në Leskovik mund të mbërrihet përmes një ure komunikimi si muzika qytetare dhe kujtesa ndjesore e Çelebiut para treqind vjetësh.


Në lagjen e Kurt Pashës në Mangalem të njohur përgjatë sundimit të “Sulejmanit të Madhërishëm” ndjeva si tingujt e grupit të Ashikëve duke udhëtuar nëpër bëmat e tyre nga rrëfenjat e inxhinier Pavli Shkarpës; po ashtu shijova dhe përsheshin  me kaposh deti apo ëmbëlsirën me mish qingji pranë ish “haremit” të rijetëzuar.

Në vendorigjinën e Konicës dhe Nolit,pranë malit të Melesinit u freskova nga uji  Çezmës së Rrëzës” ku të dashuruarit bëjnë pa zhurmë ritualin e  njohjes dhe kurorës në një ngrehinë sa kishë e xhami po aq edhe “faltore dashurie” . Guida e rajonit gazetari dhe kryebashkiaku pasionant  Fatmir Guda më prezantoi një tryezë të pasur disa kilometra larg  qytetit të Leskovikut  në pyllin e një Bio Ferme të quajtur “Sotira” ku kuptova nga realizuesit bashkshortët Toni dhe Nida, sesi mund të jetohet me kualitet edhe pranë  troftave të lumit, shtëpizave të drunjta, pyllit të lajthive dhe aromës së kullumbrive i veshur në stilin kauboj ose kauntri.
Për t’ u dëgjuar edhe pak “bluzin shqiptar”  jetësuar shekullin e shkuar edhe nga fenomeni i sazeve  të  jugut Hafize Leskoviku dhe familja e saj   e artistëve orkestrantë.  Në  kujtesën e studjuesit Bajram Lapi zëri i saj rrin si stoli femërore dhe rrezaton njësoj si kostumi fin e shumngjyrësh i gruas leskoviqare.                  

Rendja drejt të bukurës ishte filli i udhëtimit  në Razmën elitare. Pak Austri në lartësitë para alpine mu zbulua mes komikes dhe fantastikes në bisedën e ngrohtë me çiftin Aida dhe Shirazi Kastrati në një boulevard natyror vilash të evropianëve të parë modern – midis vilave  të verimit ngritur në vitet e mbretërisë shqiptare nga tregtarët e  famshëm shkodranë.Këtu ndjeva pohimin real të  asaj kulture të lartë qytetare për të cilën më pat treguar dhe pat ruajtur e ndriçuar në veprën e tij nga dritarja e arkivit të shtetit gjatë një jete plot të  papritura e flijime studjuesi  Dhimitër Antoni.
Edhe në temperatura mirazhesh mund të lahesh në shiun e verës; madje të rrethohesh nga një mjegull e beftë të cilën e përjetova si dekorin e avullt të një filmi intrigues apo klimë transilvanike. 

Ndryshe në  "Vendin e Shëtitjeve", një praktikë e suksesshme për vizitorët nga dy bashkudhtarët ,  mund ta shohësh veten si një Nastradin që endet me maskën veneciane natën  në pyjet e Razmës për të rigjetur jo gomarin si mik besnik por ketrin e shpeshtë,  përshëndetës dhe ndjellamirë për eksplorimin e  shpellave të afërta.


Tradita e filtruar  në sitën e klasikes. Pallati Natyral  i realizuar nga simbioza e inxhinierit me shkrimtaren në piacën e fushës së sportistëve dikur; është projektuar me dhoma misterioze ku mund të takoje në formë imagjinare dhe aventure duke u ngjitur si  në katet e një kështjelle të magjepsur dhe jashtë kohës personazhet fantastike si Zanat, Kreshnikët apo E Bukura e Dheut.
Trokita në portën e Miss-it të fantazisë popullore por çuditshëm porta ishte thuajse e hapur pa ato shtatë çelsat e ndrymjes dhe në vend të saj preka vetëm imazhin e një pikture nudo të përfjetur në shtratin e Saj.  Kuptohet pjata e zgjedhur për sekretin e bukurisë mund të jetë proshuta e dhisë së  egër apo sallata e patateve razmane; tregues i një kuzhine të rafinuar si një simfoni e ngritur mbi ritmet folk të shijes.

“Ethet çaplineske të  arit”  më shoqëruan në itinerarin e  Fushë Krujës dhe Rubikut po në një tjetër kuptim ; tabelat e shënuara nga vlerat  njerëzore. Në fakt bashkë me  studjuesin Genc Hoti njohur edhe  si kërkues thesaresh, vura re në komunën e  Niklës jo vetëm gropat e hapura me metoda popullore për gjetjen e metalit diellor, por ndoqëm një rrugë të vjetër që  si degëzim i rrugës tregtare Egnatia ishte gjatë periudhës romake dhe otomane një autostradë e vërtetë dhe njihej si kufiri ndarës ndërmjet Veriut dhe Shqipërisë së Mesme; me stacione lidhëse dy urat doganore të  Abdyl Agës dhe fshatit Kucej.


Në fshatin Bilaj,në komunën e Bubqit si në një udhëtim në kohë u takova me dy personazhe historikë; nipin e Abaz Kupit, zotin Nderim  të mbijetuarin me këmishë ndaj disa diktaturave  si dhe bashkudhtaren e tij pinjollen e  ish ministrit kuisling  Xhafer Deva zonjën Lolita Kupi.

Shpikja nga dëshira për të ndihmuar jetën dhe  bashkombasit mendoj se qëndronte në realizimin brenda pronës së trashëguar nga babai i Nderimit, atdhetari Ibrahim Kupi, të realizonin një shtëpi pushimi në dobi të një tjetër thesari, atij të shëndetit.

Ideja e kthimit nga Shtetet e Bashkuara me ndërrimin e sistemit në Fushë Krujë dhe transformimit të një ish pusi nafte të hapur dikur nga rusët dhe të  lënë në mes si një burim ujërash termale ose “Llixhat e Bilajt”, funksioi më së miri.Pranë ngrohtësinë shëruese ose “çezme të energjisë së tokës” takova jo rastësisht dhe prindërit e shumë personazheve publikë të ekranit që në vend të dhomave të plazhit; kishin zgjedhur të  kuronin sëmundjet e moshës së tretë pa përjashtuar shumë gra e vajza që merrnin këto  shërbime qetuese  në një ofertë vërtetë humane.

Në Rubikun e vjetër ku pat kaluar dhe qe stacionuar në antikitet  
Jul Çezari në ndjekje të Pompeut, gjatë lufës civile shpluhurosa me njeriun dhe drejtuesin e bashkisë Gjokë Vukaj ato gjurmë mbi shkëmb si kalaja e pa eksploruar e  Judenjve dhe atë  sënduk gjysheje plot mirësi. Kërcitja  që ndihet është varfëria e panatyrshme që shoqëron banorët e talentuar dhe mikpritës mirditorë që ecin mbi një tokë  të florinjtë.



Pata fatin të  udhëtoj  “Rreth  Shqipërisë Mike, për pesëmbëdhjetë ditë (seri)” dhe të  befasohem nga nuri femëror, mahnitja e relievit si dhe mëmësia e  tokës së saj plot humus. Në këtë  pikë mbërritje ashtu si në majën e një kodre shkëmbore të ngjitur; tanimë  shoh sesi u shkela me shtresëzime qytetërimesh në kishën e Rubikut,  dhe të prek në ish observatorin e vrojtimit të qiellit shqiptar të Mirditës me teleskopin e ndjesive ; atë vetëdije  universale të përçuar nga etërit françeskanë e të nisur nga benediktinët si  e rizbulova në librin e francezit Moris Vjë "Sekretet e Ndërtuesve".Po në këtë klas,  edhe shumë shqiptarë  ditën t'i japin vlerë këtij trualli të begatë dhe të hedhin me dashuri vështrimin përtej epokës në të cilën gjalluan.

domenica 13 ottobre 2013

“BUKURIA NË ART ËSHTË GJITHMONË E VËRTETË….














Andi Bica 
1. Nga 1 deri në 10 sa ju pëlqen profesioni i gazetarit?
Mendoj se numri 5, është numri im.

2.Personazhet që interviston i pëlqen të jenë të bukur?
Shprehës (ekspresiv), tek secila ka bukuri mjafton të dish ta shohësh dhe ti japësh vlerë.

3.Cila është tashmë përvoja juaj në publicistikë
Një pikëmbërritje është  cikli i suksesshëm i pesëmbëdhjetë episodeve t emisjonit Aromë Shqipërie në tv Albanian Screen përgjatë sezonit të këtij viti 2012 -13, të ideuar dhe  realizuar kësaj here vetë si autor dhe gazetar duke sjellë pika të reja vështrimi në reliev, peisazh dhe tabela vlerash njerëzore. 

Gjatë udhëtimeve kam takuar në Rubik njerëz shumë të vlertë që ecnin të varfëruar mbi një tokë të florinjtë, ose fare pranë Tiranës kemi rizbuluar shijen e verës së Sheshit të zi në komunën Gjipalaj duke shkelur në itinerarin e Jul Cezarit të nisur me studjuesin e arteve Abdulla Tafa në Golem dhe Shkëmbin e Kavajës si dhe duke prekur pak Toskanë në Shqipërinë e Mesme.


Qysh në nisje kam takuar një Princeshë Austriake  duke bërë shoping me shportën plot produkte bio  si shurup arre e raki thane si e ardhur me misionaret katolike në famullinë e Shën Kollit të fshatit Kqirë të Pukës. Atje kuptova sesi po të dish mund të shpëtosh jetët e qindra banorve siç kishte arritur kështu  kleriku dhe organizuesi i mençur Dom Xhovani Fioki nga Kremona e Italisë. 

Në Leskovik jam befasuar me një faltore dashurie të njohur si Cezma e Rrëzës ose vendtakimi i të  dashuruarve si dhe tingujt e Hafize Leskovikut të shkruara në tregimet dhe jetët e pritësve. 

Në fermën Sotira pak kilometra më larg u preka me një stil jetese kauntri, bashkjetesën e troftave të lumit me pyllin e lajthive nga kishte marrë emrin   vendi.Përvoja ndjesore që në nisje ishte si dansi  me një grua apo vajzë të bukur dhe unë fatbardhësisht vallzova me Shqipërinë  e cila më zbuloi pak nga parfumi i saj dehës. 

Në Belsh u preka me një ndër tetëdhjetë liqenet me formë zemre. 

Tek “Rana e hedhun” në    Shën Gjin ndjeva poezinë e vendit si kënga e sirenave të Uliksit apo parfumi i magjistares Medea nga i cili kish marrë emrin porti. 

Në Kolonjë përveç bukurisë së gruas kolonjare,  rizbulova sekretet e ndërtuesve mesjetar në shtëpitë e vjetra monumentale të Rehovës si gjurmë  qytetarie të vijuar ndër breza. 

Në Razëm u argëtova me shëtitjet e Nastradinit në pyllin përrallor si dhe  hyra në odën  e të bukurës së dheut  të krijuar artistikisht nga Aida dhe Shiraziu. 

Në ishullin e Zvërnecit në Nartë pashë vendprehjen e Marigo Posios së flamurit si dhe ndjeva qetësin e emetuar nga vendi i shenjtë i Fjetjes së Hyjlindëses brenda në Manastir. 

 Ndroq e pashë veten si tregimtar i legjendës së dashurisë së Ashikut duke u veshur pak me nurin e vendit dhe shijuar pjatat e një shefi që ngjante si protagonist i një seriali të njohur mbi lumë.

Mendoj se kjo përvojë, më ka pasururuar në informacion, duke i kushtuar më shumë vëmendje edhe kulturës së të ushqyerit për më tepër ngaqë nuk kam ditur të gatuaj ndonjëherë dhe kam qenë i painteresuar se çfarë ndodhte mbi tryezë veç ëmbëlsirave. Mësova të mpreh dhe latoj shijen duke ftuar miq të panumërt në tryezën e dijes.


4.Cili  është kujtimi më i bukur nga fëminia?

Njohja me librin pasi mësova të lexoj.
Kthimi nga shkolla i përqafuar me një shoqe që sot është  artiste.
Dhurata e pantallonave kadife kauboj si pjesë e  kujdesi amësor.
Rrëfenjat e pambarimta me personazhe të krijuar nga fantazia e bukur dhe pjellore e gjyshi Dhimitrit.

5. Si ka qënë momenti më i keq që ke përjetuar në adoleshencë?
 Si  shprehet poetesha Valdete Antoni, (mëma dheguida ime në art) “Ngjaj trime se kam frikë nga vdekja”. edhe për mua kjo frikë e kthyer me dashuri në emocion  artistik më shpëtoi nga mostrat e boshllëkut dhe kaosit që mbizotëroi në  mjedisin rinor të viteve  90-të.

6.Si konceptohet për ty jeta, po dashuria?
Shëtitje mes luleve në kopsht gjithë dritë. Secila lule është një ëndërr më vete për tu  prekur,   jetuar dhe frymuar në universin e aromës që bart. Çdo ditë e re është e bukur për të jetuar, ëndërruar dhe dashuruar.

7. A di të urresh, kur dhe pse?
Po mësoj  të urrej me pambuk mirësie.



8.Ç’mendim ke për tradhëtinë bashkëshortore?
Më mirë nuk e mendoj. Sidoqoftë më duket mungesë vetvlersimi apo pagesa e një egoizmi të skajshëm.

9.Vlerëson më shumë raportin miqësor apo lidhjen dashurore? 
Ia vlen kur janë të dyja me një perde ose kodër të  butë në mes.


10.Cili është mendimi juaj për politikën, sa ndikon në art?
Energji mbështetse,kuptohet jo direkte ashtu si tregoi përvoja e bashkpunimit për Dalinë dhe Pikason në shekullin e shkuar.

11…dhe  mendimi juaj për raportin politikë-gazetar? Mirkuptimi përmes çelsit të vlerave njerzore.Në të dyja përfaqsimet e rëndsishme kam njohur në mbi dhjetë v jet  televizon, njerëz pozitiv, mirkuptues dhe profesionistë të vërtetë.

12. Ç’përfaqëson një femër e bukur, po një femër e zgjuar?
E pranoj se jam i ndjeshëm ndaj feminilitetit,  por bukuria natyrale është pasqyra më e shëndetshme për tu parë.


13. Ju pëlqen arti, cili zhanër i tij? 
“Ajo më shloi në  kinemanë time ..” – kështu e kam përjetuar si thotë shprehja poetike.
Poezia më orientioi kah  Piktura dhe ajo tek Kinemaja ku Guidat frymformuese janë Çaplini me dramën e jetës dhe groteskun e filmave të tij, Al Paçino kurajoz e fisnik tek Aromë Gruaje dhe Zorba i mishëruar si aventurieri gruar i përjetshëm nga Antoni Kuin.



14.A ka vlerësimin e duhur krijuesi në Shqipëri?
Fatkeqësia e krijuesese, Gruas Poet-e  ( Mëmës sime) është se i duhet të jetojë nën mesataren e nivelit të bashkohësve të vet.

15. Cili është politikani juaj më i  pëlqyer?
Ai që di të ngrejë ekonominë familjare të bashkombasve dhe përmirsojë jetesën e njerzve që drejton qoftë edhe Alien.

16. Po këngëtari?
Njëri prejt tyre që ende e dëgjoj dhe shijoj është Zucchero. 

17.A luani ndonjë vegël muzikore?
Po,frymoj çdo ditë në median vizive Instrumentin e padukshëm  - Zërin.Dikur mjeshtri i përkthimit Robert Shvarc në emisjonet e Radio Tiranës më krahasoi me aktorin Prokop Mima për nga muzikaliteti i shprehjes.

18.Flitet në botë për milarderë dhe në art. A do të deshe të ishe njëri prej tyre?
Orakulli artistik më pat lexuar se do largohem i pasur nga kjo botë.Të shpresoj t’ia mbërrij herët duke e shijuar në kohë të ndjerit dhe jetuarit si i pasur. Kamja e hap shpirtin.

19.Nëse do të ishe njëri prej tyre, ç’do të bëje me këtë pasuri?
Si fillim do përmirsoja jetën e familjarëve të afërt dhe pastaj shumë udhëtime. Do merresha më shumë me lulet dhe pikturën.

20. Cila është shenja juaj në horoskop?
Jam Gaforre e përndjekur simboli femëror i Dash(es) dhe me shënjestër harmonie Peshk(jen). 
21.Cila është stina më e preferuar?
Pauza e ndërrimit të tyre. Ekuinokset.

22. A jeni supersticioz?
Po, jam pak.

23. A besoni në Zot?
Po, jam besimtar. Besoj në piktakimin dhe të përbashkëtën e religjoneve dhe filozofivetë tyre  që për mua është Dashuria.

24.Ç’mendim ke për UFOT?
Derisa thuhet në Librin e Shenjtë “Zoti i Botërave…” këto botëra kanë dhe protagonistët e tyre të ndryshëm a të ngjashëm. 

25: Numëron mijëra të rinj që drogohen, çfarë mesazhi që jepni për ta?
Të ndjekin pasionet e fëmijrisë dhe muzën e dashurisë!

26. Beson në mistiçizëm?
Më pëlqen të lexoj realen edhe përmes  mistereve.

27. Si e mendon të ardhmen, psh, pas pesë vitesh? Mbase të mbushur edhe më shumë me dashuri të vijueshme si dhe duke u bërë njeri pak më i mire e profesionist më i zoti nga sa ndihem sot.

28. Cili është mendimi juaj për gazetën tonë?
Gjerdan argjendi si vetë fjala e shprehur.


INTERVISTOI: ENRIETA SINA, 
GAZETA  “OROSKOP”- GUSHT 2013.